Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, si dhe për procesin e dialogut Kosovë–Serbi.
Ambasadori Hargreaves ka bërë të ditur përmbajtjen e takimit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë dhe demokratik, që do të mundësonte formimin e shpejtë të institucioneve të reja.
Sot takova kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Diskutuam për fushatën zgjedhore dhe shpresat për një proces zgjedhor të qetë që mundëson formimin e shpejt të institucioneve në vitin e ri”, ka shkruar Hargreaves.
Ai ka vënë në pah se krijimi i institucioneve funksionale është thelbësor për përparimin në fusha urgjente, përfshirë miratimin e buxhetit shtetëror. Po ashtu, ambasadori britanik ka theksuar nevojën që qeveria e ardhshme të rifillojë progresin në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, procesin e integrimit evropian, si dhe të ndërmarrë hapa konkretë për integrimin e mëtejshëm të komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Në fund, Hargreaves ka shprehur gatishmërinë për thellimin e partneritetit ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës me qeverinë e ardhshme, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme britanike për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të vendit./KultPlus.com





