Prej pesë vitesh, sheshi i Tetovës ka një pamje të veçantë që e njohin të gjithë banorët: Arben Xhelili, kuzhinier nga fshati Sllatinë, i cili çdo ditë ushqen qindra pëllumba, pavarësisht motit apo rrethanave.
Ajo që për shumëkënd mund të duket një gjest i zakonshëm, për Xhelilin është bërë pjesë e përditshmërisë dhe një mision personal. Ai vjen rregullisht në qendër të Tetovës me bukë dhe ushqim të përgatitur posaçërisht për zogjtë, të cilët e presin çdo ditë në të njëjtën kohë.
“Është një obligim moral. Pëllumbat janë pjesë e qytetit tonë dhe nuk dua t’i lë të uritur,” thotë Xhelili, i cili shpesh përdor bukën e mbetur nga restorantet, ndërsa herë pas here e blen vetë ushqimin kur nuk ka donacione.
Veprimi i tij i vazhdueshëm ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe mediave lokale, të cilët e kanë cilësuar Arbenin si shembull të gjallë të humanizmit në përditshmëri. Banorët thonë se ai ka sjellë një atmosferë më të ngrohtë në shesh dhe ka krijuar një lidhje të veçantë me zogjtë që tashmë e njohin nga larg.
“E shohim çdo ditë. Është bërë simbol i mirësisë në qytet,” thonë qytetarët, të cilët e nderojnë për përkushtimin e tij të pandërprerë.
Në kohë kur shumë njerëz janë të fokusuar në sfida të përditshme, gjesti i thjeshtë por plot dashuri i Arben Xhelilit është një kujtesë e fortë se humanizmi fillon me veprime të vogla./Burim i informacionit






