48 vullnetarët e rinj të Korpusit të Paqes kanë bërë sot betimin në Shkup, duke shënuar fillimin e misionit të tyre dyvjeçar në Maqedoninë e Veriut. Vullnetarët do të punojnë si mësimdhënës të gjuhës angleze, bashkëpunëtorë për zhvillimin e komunitetit dhe pjesë e programeve për arsim gjithëpërfshirës. Drejtori i Korpusit të Paqes, Dejvid Risajd, theksoi se shërbimi vullnetar është sfidues, pasi kërkon përshtatje me një gjuhë dhe kulturë të re, por njëkohësisht paraqet një përvojë jashtëzakonisht të vlefshme.
“Ky grup përfshinë vullnetarë që do të punojnë si edukatorë të gjuhës angleze, si punonjës për zhvillim të komuniteteve dhe vullnetarët e parë që do të rihapin programin e edukimit special. Të jesh vullnetar i Korpusit të Paqes nuk është një detyrë e lehtë. Vullnetarët e Korpusit të Paqes jetojnë larg familjeve të tyre, përpiqen të mësojnë një gjuhë dhe kulturë të re dhe ndonjëherë mund të vënë në dyshim vlerën e shërbimit të tyre. Për fat të mirë, shërbimi i Korpusit të Paqes është gjithashtu një nga përvojat më të dobishme qe dikush mund të dëshirojë”, deklaroi Dejvid Risajd, drejtor, Korpusi i Paqes.
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler tha se vullnetarët përfaqësojnë më të mirën që Shtetet e Bashkuara i ofrojnë botës. Ageler falënderoi familjet nikoqire për mikpritjen dhe kontributin në ndërtimin e lidhjeve afatgjata mes dy vendeve.
“Ata ndërtojnë ndër vite ura të qëndrueshme mes njerëzve të të dy vendeve tona edhe pas përfundimit të shërbimit të vullnetarëve. Misioni i Korpusit të Paqes vërtet është promovimi i paqes dhe miqësisë. Për familjet nikoqire që janë të pranishme sot, më lejoni t’ju falënderoj që e ndani kohën dhe jetën tuaj me vullnetarët tanë. Faleminderit për angazhimin tuaj për ti bashkuar forcat e vendeve tona dhe për të ndarë kulturën dhe mikpritjen tuaj”, tha Angela Ageler, ambasadore e SHBA-së, Shkup.
Vullnetarët do të shpërndahen në qytete dhe komuna të ndryshme, ku pritet të kontribuojnë në përmirësimin e arsimit, forcimin e bashkëpunimit lokal dhe ndërtimin e mirëkuptimit ndërkulturor. Ky është grupi i 28-të amerikan që shërben në vendin tonë, duke u bashkuar me më shumë se 900 shtetas amerikanë që kanë kontribuar si vullnetarë në Maqedoninë e Veriut që nga viti 1996. /Alsat.mk





