10.8 C
Skopje
Monday, December 1, 2025

Qeveria dhe OBSH nënshkruan Strategjinë pesëvjeçare të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë 2026–2030

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me Kryetarin e Qeverisë, prof. dr. Hristijan Mickoski dhe dr. Akim Ali, shefin e Zyrës së OBSH-së në vendin tonë, sot nënshkruan Strategjinë pesëvjeçare të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe OBSH-së për periudhën 2026–2030. Me një lidhje online në ngjarje foli edhe drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Kluge.
“Sot hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Nënshkruam strategjinë tonë të parë pesëvjeçare të bashkëpunimit — një dokument i hartuar bashkërisht me të gjitha institucionet dhe partnerët, i cili do t’i udhëheqë reformat në shëndetësi deri në vitin 2030. Strategjia fokusohet në modernizimin e kujdesit shëndetësor primar, transformimin e plotë digjital, përmirësimin e kujdesit për nënën dhe fëmijën, shëndetin mjedisor dhe qëndrueshmërinë klimatike, në përputhje me agjendën ‘e gjelbër’ të Qeverisë”, theksoi ministri Aliu pas nënshkrimit.
Me strategjinë janë të përfshira gjithashtu mbrojtja e grupeve të cenueshme, planifikimi i burimeve njerëzore në shëndetësi, shëndeti publik, siguria shëndetësore dhe rritja e gatishmërisë ndaj situatave krizë. “Strategjia na mundëson një plan të qartë, partneritet dhe mbështetje për realizimin e përbashkët të reformave kryesore”, potencoi ministri.
Ai veçoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërsektorial dhe përkrahjen nga sektorët e tjerë, duke theksuar se kjo Strategji e bashkon të gjithë sistemin qeveritar rreth objektivave për shëndetin dhe mirëqenien e popullatës.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj OBSH-së, ministrive dhe partnerëve për kontributin e tyre. Me këtë Strategji vendosim themelet për një shëndetësi më të fortë, më moderne dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët. Kjo është dëshmi simbolike e vullnetit të fuqishëm politik, përkushtimit kombëtar dhe partneritetit të ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe OBSH-së për realizimin e reformave kyçe në shëndetësi”, përmbylli ministri Aliu.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit