Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, z. Zlatko Perinski, sot në Ohër shënoi fillimin e zbatimit të dy projekteve të reja të aprovuara në kuadër të thirrjes së parë të Programit IPA III për bashkëpunim ndërkufitar me Republikën e Shqipërisë.
Ngjarja u hap me fjalimet përshëndetëse të ministrit Perinski, ambasadorit të Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Shqipërisë për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës, Eridana Çano, si dhe kryetarëve të komunave të Ohrit dhe Krushevës, Kiril Pecakov dhe Niko Çoneski.
Gjatë eventit u nënshkruan dy marrëveshje për kofinancim kombëtar mes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe bartësve të projekteve, si dhe Marrëveshja e Partneritetit për asistencë teknike të programës së bashkëpunimit ndërkufitar me Shqipërinë, me vlerë prej 500,000 euro.
“O këto dy investime të reja, me vlerë mbi 1.6 milionë euro, do të kontribuojnë në krijimin një produkti të qëndrueshëm turistik që bashkon natyrën, kulturën dhe autenticitetin e gjithë rajonit”, deklaroi Perinski.
Projekti “Vullnetarët në veprim për sigurinë e njerëzve dhe mbrojtjen e natyrës” i përket prioritetit tematik 1 – Mbrojtja e mjedisit dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rajonit. Ndërsa “Krushevë dhe Elbasan – udhëtim nëpër natyrë dhe aventurë” zhvillohet në kuadër të prioritetit tematik 2 – Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe mbrojtja e trashëgimisë natyrore e kulturore.
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale vazhdon të punojë aktivisht për të hapur mundësi të reja në shfrytëzimin e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian për zhvillim rajonal, integrim dhe bashkëpunim.





