Gjatë panelit të organizuar nga kompania farmaceutike “Alkaloid”, me temën “Perspektivat e ekspertëve mbi lindjen e parakohshme”, mjekët neonatolog, dermatolog dhe të tjerë theksuan rëndësinë e ndërhyrjes së hershme dhe mbështetjes së vazhdueshme për foshnjat e lindura para kohe. Sipas mjekëve lindjet e parakohshme mbeten një sfidë serioze për sistemin shëndetësor, duke shtuar se trajtimi multidisiplinar dhe monitorimi i vazhdueshëm mund të ulin rreziqet për komplikime afatgjata. Ata theksuan se edukimi i prindërve dhe qasja e personalizuar në kujdesin neonatal janë kyçe për mbijetesën dhe zhvillimin e shëndetshëm të foshnjave të parakohshme. Ekspertët pajtohen se bashkëpunimi mes mjekëve, prindërve dhe institucioneve është thelbësor për përmirësimin e rezultateve tek të porsalindurit më të rrezikuar.
“Nëse e shohim parakohshmërinë në përqindje, si një foshnjë e lindur nën 37 javë, ju folët për një në dhjetë, atëherë nga ato një në dhjetë, 10% përfundojnë patjetër në repartin e kujdesit intensiv. Për fat të mirë, vetëm 1% janë foshnja që lindin nën 28 javë të shtatzënisë dhe me peshë nën 1000 gramë. Ato vërtet kërkojnë asistencë të veçantë kardiorespiratore, shpesh edhe ndihmë me ventilim mekanik, zëvendësime dhe qëndrime më të gjata spitalore. Ndërsa ato foshnjat më të mëdha, pra më të pjekura, kërkojnë monitorim më intensive”, tha Silvana Naunova Timovska, pediatër neonatolog.
“Çdo skuqje e zgjatur, shfaqja e fshikëzave, flluskave janë një shenjë alarmante se ato mund të jenë fillimi i një infeksioni serioz duke përfshirë sepsën. Inspektimi është pjesa më e rëndësishme dhe dallimi midis asaj që është fiziologjike dhe normale dhe ndonjëherë shqetësuese për prindin pa nevojë dhe ndonjëherë një shenjë e një procesi patologjik”, tha Katerina Damevska, dermatologe.





