Pas vizitës së drejtorit të përgjithshëm të radiotelevizionit publik të Austrisë (ORF), Roland Weissmann, në Jerusalem dhe takimit të tij me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, si dhe me drejtorin e KAN-it, transmetuesit publik izraelit, Golan Yochpaz, mediat vendase raportojnë se mundësia që Izraeli të përjashtohet nga Eurovision 2026 tashmë është thuajse zhdukur.
Më pak se një muaj na ndan nga Asambleja e Përgjithshme e EBU-së në Gjenevë, ku pritet të sqarohet zyrtarisht çështja e pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin e 70-të të Eurovisionit.
Të dielën, më 9 nëntor, drejtori i ORF-it vizitoi Jerusalemin për të riafirmuar qartë dhe fuqishëm mbështetjen e Austrisë për Izraelin dhe të drejtën e tij për të marrë pjesë në konkurs. Eurovisioni vitin e ardhshëm shënon 70-vjetorin e tij dhe Izraeli prej dekadash është një pjesë e pandashme e festivalit. Drejtori i KAN deklaroi se nuk ka asnjë bazë ligjore apo arsye për përjashtimin e Izraelit nga Eurovision 2026, pasi vendi gjithmonë ka respektuar rregullat e EBU-së dhe do të vazhdojë t’i zbatojë ato.
Presidenti Isaac Herzog theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë editoriale dhe operacionale të KAN-it si transmetuesi publik i Izraelit. Pas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, votimi i planifikuar që pritej të vendoste fatin e pjesëmarrjes së Izraelit u anulua dhe u zëvendësua me një sesion diskutimi që do të mbahet në dhjetor. Burime të afërta me procesin tregojnë se rreziku i përjashtimit të Izraelit tani ka kaluar pothuajse krejtësisht dhe vendi pritet të marrë pjesë normalisht në Eurovision 2026. Mbështetja e fuqishme e Austrisë ka qenë vendimtare, dhe vizita e drejtorit të ORF-it në Rezidencën Presidenciale të Jerusalemit, e shoqëruar me deklaratat e tij, shihet nga shumëkush si një konfirmim de facto i pranisë së Izraelit në konkursin e vitit të ardhshëm.





