Ministri i Jashtëm i Polonisë deklaroi të dielën se një ankand “fyes” i artifakteve të Holokaustit në Gjermani është anuluar, pas ankesave të të mbijetuarve.
Radosław Sikorski e dha lajmin në X duke u shprehur se ai dhe homologu gjerman, Johann Wadephul, “ranë dakord se një skandal i tillë duhet parandaluar.”
Kreu i diplomacisë polake falënderoi Wadepuhl për informacionin që ankandi është anuluar.
Një grup të mbijetuarish të Holokaustit i kishin bërë thirrje më herët shtëpisë Felzmann të ankandeve për të anuluar shitjen e së hënës të qindra artifakteve, ku përfshiheshin letra të të burgosurve dhe shumë dokumente të tjera ku njerëzit idenfitikohen me emër.
Informacioni rreth ankandit në faqen zyrtare të Auktionshaus Felzmann nuk gjendej më aty rreth mesditës të së dielës.
Koleksioni me më shumë se 600 sende në Neuss perëndimor pranë Dyseldorfit përfshinte letra që të burgosurit në kampet gjermane të përqendrimit u kishin shkruar të afërmve, letra të Gestapo-s e dokumente të tjera. Ankandi ishte titulluar “Sistemi i terrorit.”
“Për viktimat e persekutimit nazist dhe të mbijetuarit e Holokaustit, ky ankand është një vepër cinike dhe e paturp që i zemëron dhe shtang ata”, tha zëvendëspresidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Aushvicit, Christoph Heubner.
“Historia e tyre dhe vuajtja e të gjithë atyre që janë persekutuar dhe vrarë nga nazistët po shfrytëzohen për përfitime tregtare”, shtoi ai. Komiteti tha se emrat e njerëzve ishin të identifikueshëm në shumë prej dokumenteve.
Heubner tha se këto dokumente “u përkasin familjeve të viktimave. Ato duhet të ekspozohen në muze ose memoriale dhe mos të degradohen si mallra të çfarëdoshme.”





