Pak javë pas zgjedhjeve lokale, partia më e madhe opozitare maqedonase përballet me sfidë të re. Zëra gjithmonë e në rritje për nevojën e reformave të brendshme. LSDM-ja thotë se është duke bërë analiza dhe diskutime lidhur me rezultatin shumë të dobët të zgjedhjeve lokale ku në mbarë vendin fitoi në vetëm 4 komuna, përballë VMRO-DPMNE-së që fitoi 54. Sipas deputetet Sllavjanka Petrovska, rezultati i këtillë është për arsye se në LSDM ka munguar debat i vërtetë për humbjet e njëpasnjëshme, ndërsa dalja nga kjo situatë është zgjedhja e një ekipi me figura të reja.
“Mendoj që mungesa e debatit të vërtetë për këto rezultate zgjedhore paraprake, plotësisht me rrethanat tjera në shtet, mendoj se kanë kontribuuar për këtë humbje”, tha Sllavjanka Petrovska, deputete e LSDM-së.
“Mendoj se është shumë me rëndësi që pas kësaj humbje zgjedhore dhe pas gjitha analizave, diskutimeve dhe debateve që do të bëhen, LSDM të del me një ekip të njerëzve që do të dinë si ta kthejnë LSDM-në në rrugën e fitores”, shtoi ajo.
Derisa socialdemokratët po përgatiten për një kongres ku pritet që krahas debatit dhe analizave rreth rezultati zgjedhor të bëhet dhe rikonfigurim i strukturës udhëheqëse të partisë, në parti vetëm se kanë filluar të bëhen disa lëvizje. Pas dorëheqjes së nënkryetares Ana Çupevska, nënkryetar në LSDM u emërua mjeku Aleksandar Trajanovski, i cili në këto zgjedhje ishte kandidat për kryetar të Komunës së Aerodromit dhe njëkohësisht figurë politike e afërt me kryetarin Venko Filipçe.
Lëvizjen e këtillë e ka komentuar VMRO-DPMNE. Sipas partisë së Hristijan Mickoskit, Trajanovski nuk është ndryshim. Reforma e vërtetë, sipas tyre, është e mundshme vetëm nëse largohet Venko Filipçe dhe diktati i ish kryetarit Zoran Zaev.
“Zaev ende e kontrollon LSDM-në nëpërmjet Filipçes, ndërsa tani ai e konfirmon pozitën e tij kryetar në hije me vendosjen e Trajanovskit për nënkryetar. Prej këtyre tre personave, por edhe nga udhëheqësia tjetër e LSDM-së, populli nuk pret asgjë. Nevojiten reforma në LSDM, për opozitë të fuqishme me kredibilitet dhe përgjegjësi. Ajo patjetër duhet të fillojë me dorëheqjen e Filipçes”, tha Valentin Manasievski VMRO-DPMNE.
Paraprakisht dorëheqje nga pozita e kryetarit të organizatës lokale të LSDM-së në Gjorçe dha edhe Kostadin Acevski, i cili nuk arriti të fitojë garën për të parin e komunës. Rezultati i LSDM-së në zgjedhjet e fundit lokale është ndër më të dobëtit që socialdemokratët kanë pasur që nga themelimi i partisë në vitin 1991. Humbje të rëndë, LSDM veçanërisht përjetoi në Shkup ku nuk arriti të hyjë as në rrethin e dytë, ndërsa humbi bastionin 20-vjeçar në Strumicë./Alsat.mk





