16.8 C
Skopje
Thursday, November 13, 2025

Mbledhja Shqipëri-Itali në Romë, Rama: 16 marrëveshje të reja bashkëpunimi

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka rikujtuar se këtë të enjte se dy qeveritë, ajo shqiptare dhe italiane do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët në Romë. Rama shkruan se kjo mbledhje do të zhvillohet për të nënshkruar 16 marrëveshje të reja bashkëpunimi në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me Italinë.

“MIRËMËNGJES dhe me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Dhjetë ministra të qeverisë shqiptare, së bashku me kryeministrin Edi Rama, do të udhëtojnë drejt Romës, në Itali, ku do të mbahet mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive.

Në orën 11:40 është parashikuar takimi mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni.
Në orën 12:30 do të nisë mbledhja e përbashkët me delegacionet e të dy vendeve.
Rreth orës 14:00 do të firmosen disa marrëveshje dhe memorandume mes Italisë dhe Shqipërisë, në fusha si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor.

Sipas mediave italiane, në sektorin e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji, ndërsa infrastruktura detare do të vendoset në Shqipëri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve.

Sa i përket migracionit, mediat në vendin fqinj shkruajnë se “do të krijohet një grup i përbashkët pune për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të parregullt dhe për të forcuar aftësitë e patrullimit detar të Shqipërisë”.

Ministrat që do të jenë pjesë e delegacionit shqiptar janë:

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku;
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali;
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari;
Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu;
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu;
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala;
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj;
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja;
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj;
dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit