Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) shqyrtoi dhe hodhi poshtë si të pabazuara të gjitha 16 ankesat që u dorëzuan në lidhje me procedurat e votimit dhe përmbledhjen e rezultateve të votimit në zgjedhjet lokale në komunat Bërvenicë, Shuto Orizarë dhe Karposh.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, informoi se do të përgatiten vendime individuale për secilën ankesë dhe do t’u dorëzohen parashtruesve.
Kondarko shtoi se Komisioni do të presë afatet ligjore për padi të mundshme në Gjykatën Administrative në 24 orët e ardhshme, pas të cilave, nëse ka, Gjykata është e detyruar të veprojë brenda 48 orëve nga pranimi.
“Kjo do të thotë që më së voni deri në fund të fundjavës do të kemi vendimet e Gjykatës Administrative nëse ka padi. Nëse nuk ka padi, në momentin e parë kur të skadojnë afatet, domethënë kur vendimet të bëhen të plotfuqishme, KSHZ-ja do të mbajë një seancë për të shpallur rezultatet përfundimtare për komunat Brvenicë, Shuto Orizarë dhe Karposh”, tha Kondarko.
Për votimin në Shuto Orizarë u paraqitën trembëdhjetë ankesa, 10 prej të cilave ishin nga koalicioni “Maqedonia Juaj” i udhëhequr nga OBRM-PDUKM, dhe tre nga Unioni i Romëve. Dy ankesa u paraqitën nga koalicioni “Përvoja për Sukses” për dy vendvotime në Komunën e Karposhit, ndërsa një ankesë në KSHZ u paraqit edhe nga kandidati për kryetar të Brvenicës nga VLEN, Haqim Ramadani.





