Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje alarmante prej 116% në veprat penale “tentativë vrasjeje”, shumica me armë zjarri dhe të ndodhura në zonën e SPB Shkup. Krimet e dhunshme u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2024, me një rritje prej 13.6% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 1,943 raste. Ndërkohë, vrasjet ranë me 13%, me gjithsej 20 raste, pesë prej të cilave lidhen me dhunën në familje. Edhe vetëvrasjet pësuan rënie prej 13.5%, me 83 raste, kryesisht te burrat mbi 30 vjeç. Në fushën e aksidenteve dhe lëndimeve në punë, u regjistruan 241 raste, ku 36 persona humbën jetën dhe 59 u plagosën rëndë, më së shumti në SPB Tetovë. Këto të dhëna dalin nga raporti vjetor për vitin 2024 i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
Vepra penale kundër jetës dhe trupit
Krimet e dhunshme në vend shënuan një rritje të ndjeshme prej 13.6% gjatë vitit 2024, duke arritur në 1,943 raste.
“Krimet e dhunshme të regjistruara u rritën me 13.6% krahasuar me vitin e kaluar. U regjistruan gjithsej 1,943 krime, më të shumtat prej të cilave ishin “rrezikimi i sigurisë”, “dhuna”, “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “lëndim i rëndë trupor”, me të njëjtën përqindje që u rrit nga 10 deri në 40% krahasuar me vitin e kaluar. Nga krimet e tjera me elementë dhune, u vu re një trend në rënie te zhvatja, shantazhi, fajdeja, heqje e paligjshme e lirisë dhe rrëmbimi”, thuhet në raportin e MPB-së.
Veprat “vrasje” shënuan rënie
Vrasjet nga ana tjetër ranë me 13%, me gjithsej 20 raste, pesë prej të cilave lidhen me dhunën në familje.
“Trend në rënie i vrasjeve me 13% krahasuar me vitin e kaluar. U kryen 20 vrasje, nga të cilat 18 u zgjidhën pas masave të marra, ndërsa dy vrasje të kryera në zonën e SPB Shkup mbeten të pazgjidhura. U morën masa ndjekjeje penale kundër 24 autorëve, njëri prej të cilëve është punonjës i Ministrisë së Brendshme. Pesë nga vrasjet u kryen në kontekstin e dhunës në familje, ndërsa tre vrasje janë me nga dy viktima. Numri më i madh i vrasjeve u kryen në zonën e SPB Shkup (shtatë) dhe të SPB Tetovë (katër). Sa i përket metodës, 11 vrasje u kryen duke përdorur armë zjarri, katër duke përdorur forcë fizike, tre duke përdorur armë të ftohta, etj”, thuhet në raport.
Tentim vrasjet shënuan rritje alarmante
Ajo që bie më shumë në sy është rritja alarmante e tentativave për vrasje, me 116% më shumë raste se vitin e kaluar, gjysma e tyre të kryera me armë zjarri dhe shumica në zonën e SPB Shkup.
“Një rritje e konsiderueshme prej mbi 116% këtë vit u regjistrua edhe në veprat penale të “tentativës së vrasjes”. U regjistruan gjithsej 52 vepra penale, gjysma e të cilave duke përdorur armë zjarri. Sipas vendndodhjes, shumica e tyre janë në zonën e SPB Shkup (25), dhjetë janë në zonën e SPB Tetovë, pesë në zonat e SPB Strumicë dhe SPB Kumanovë, tre në zonën e SPB Ohër, dy tentativa janë në zonën e SPB Manastir dhe nga një në zonat e SPB Veles dhe SPB Shtip. Është karakteristike se mbi 100% rritje është regjistruar në zonat e SPB Shkup, Tetovë, Ohër dhe Kumanovë. Sa i përket autorëve, janë marrë masa kundër 64 personave, gjashtë prej të cilëve janë fëmijë”, thuhet në raportin e MPB-së.
Vetëvrasje me shkaqe të panjohura për institucionet
Edhe vetëvrasjet shënuan ulje me 13.5%, me 83 raste, kryesisht te burrat mbi 30 vjeç. Ajo që bie në sy është fakti se në shumicën e rasteve, institucionet nuk kanë arritur të zbulojnë motivet e vërteta që çuan personat në këtë të ndërmarrin këtë akt.
“Numri i vetëvrasjeve shënoi një rënie prej 13.5%. Gjatë vitit 2024, u regjistruan gjithsej 83 (96) raste, nga të cilat numri më i madh ishte në zonën e SPB Shkup – 25, ku u regjistrua rritje prej mbi 56%, pasuar nga zonat e SPB Manastir me 15 vetëvrasje dhe SPB Shtip – 14, SPB Strumicë – 10 dhe në një masë më të vogël në zona të tjera”, thuhet në raport.
Shumica e vetëvrasjeve (59) këtë vit janë kryer nga burra kryesisht mbi moshën 30 vjeç, dhe tetë persona ishin midis moshës 18 dhe 30 vjeç. Në shumicën e rasteve, shkaqet e vërteta nuk janë përcaktuar plotësisht, por në një përqindje të konsiderueshme, çrregullimi nervor përmendet si motiv i vetëvrasjes. Sipas mënyrës së kryerjes së veprës penale, në 49 raste personat kryen vetëvrasje duke u varur, gjashtë persona përdorën armë zjarri, në 17 raste bëhej fjalë për kërcim nga lartësia, dhe në një numër më të vogël rastesh helmimi me substanca toksike dhe mbytje në ujë.
Aksidentet dhe fatkeqësitë në vendin e punës
Në fushën e aksidenteve dhe lëndimeve në punë, u raportuan 241 raste, ku 36 persona humbën jetën dhe 59 u plagosën rëndë, me numrin më të madh të regjistruar në zonën e SPB Tetovë.
Gjatë vitit, Ministria ndërmori masa për zgjidhjen e 241 aksidenteve dhe 229 aksidenteve në punë. Në aksidente, 36 persona humbën jetën, 59 u plagosën rëndë dhe 141 persona pësuan lëndime trupore. Sipas vendndodhjes, shumica e aksidenteve ndodhën në zonën e SPB Tetovë (109), dhe më pak në zonën e SPB Ohër (3).
Në aksidente, 10 persona humbën jetën, 71 u plagosën rëndë, ndërsa 147 persona pësuan lëndime trupore. Sipas zonave, ato janë më të zakonshme në zonën e SPB Shtip ( 67), SPB Veles (46) dhe nga 27 në zonën e SPB Strumicë dhe SPB Tetovë. Përndryshe, arsyeja më e zakonshme e aksidenteve është pakujdesia, ndërsa një pjesë e vogël është për shkak të mosrespektimit të masave mbrojtëse dhe makinerive të konsumuara.
Ndryshe, ndër të tjera, raporti zbuloi se në vitin 2024, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standardet Profesionale në Ministrinë e Brendshme të RMV-së hetoi 1.366 raste të sjelljes së paligjshme dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, që paraqet rritje prej mbi 10% krahasuar me vitin paraprak. Po ashtu, u ngritën 37 kallëzime penale kundër 90 punonjësve të MPB-së për 42 vepra penale, kryesisht për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “pakujdesi në detyrë”. Në pamje të parë, kjo tregon veprimtari të shtuar hetimore dhe përgjegjësi institucionale, por nëse i japim një vështrim kritik, kjo ngre dilema të rëndësishme nëse ky trend tregon rritje të profesionalizmit dhe transparencës, apo rritje të shkeljeve të brendshme dhe mungesë të kontrollit parandalues.





