Çështja e përballueshmërisë së banesave po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në kontekstin e ndryshimeve ekonomike dhe demografike, të cilat ndikojnë negativisht në aftësinë e njerëzve për të siguruar strehim. Nga njëra anë, çmimet gjithnjë e më të larta të metrave katrorë dhe kushtet më të ashpra për marrjen e kredive e vështirësojnë blerjen e pronës së parë, raporton “Geozofija”.
Studimi ka përfshirë 25 vende evropiane dhe ka analizuar përballueshmërinë teorike – pra, ka synuar të përcaktojë sa vite, ose sa paga neto mujore, do të duheshin për të blerë një banesë prej 70 metrash katrorë në vende të ndryshme të Evropës. Analiza është bazuar në të dhënat e vitit 2024 nga Deloitte, Eurostat dhe Numbeo, duke marrë në konsideratë pagën mesatare neto dhe çmimin mesatar për metër katror për ndërtime të reja banesash në nivel kombëtar.
Rezultatet e studimit tregojnë se në vitin 2024, për të blerë një banesë prej 70 m² në Evropë nevojiten nga 50 deri në 200 paga mujore neto. Rruga më e shpejtë drejt pronësisë së një banese është në Danimarkë, ku blerja e një banese të tillë kushton sa 57 paga neto mujore. Sipas studimit, në Maqedoninë e Veriut duhen 169 paga mujore për të blerë një banesë prej 70 metrash katrorë.
Në anën tjetër të shkallës është Portugalia, ku duhen mbi 200 paga mujore, çka e rendit këtë vend në krye të listës. Ky zbulim përputhet me paralajmërimin që Komisioni Evropian i bëri qeverisë portugeze në qershor të këtij viti, se masat e deritanishme nuk kanë qenë efektive për të zbutur krizën e strehimit.
Dallimet rajonale janë gjithashtu të dukshme. Përveç Portugalisë, banesat janë më pak të përballueshme në vendet baltike, si dhe në disa vende të Evropës Juglindore dhe Qendrore (Çeki, Sllovaki dhe Hungari), ku për blerjen e një banese duhen nga 120 deri në 200 paga mujore neto.
Nëse këto paga mujore shndërrohen në vite (pra, duke llogaritur sa vite do të duheshin për të kursyer gjithë pagën), atëherë për të blerë një banesë në Portugali do të duheshin 17,2 vite kursim të plotë, në Çeki 16,6 vite, dhe në Sllovaki 15,5 vite. Siç u përmend më herët, periudha më e shkurtër do të ishte në Danimarkë – rreth 4,8 vite.





