Pas tre ditësh reshje të dendura që përfshinë pothuajse gjithë vendin dhe shkaktuan probleme në disa rajone, sinoptikët paralajmërojnë përmirësim të motit. Sipas Marija Cvetkovska Atanasovës nga Enti Hidrometerologjik edhe gjatë ditës së nesërme pritet të ketë reshje lokale dhe vranësira, ndërsa nga pasnesër moti do të stabilizohet dukshëm.
“Reshje si ato të natës së kaluar, kur në Kodrën e Diellit u regjistruan pothuajse 90 litra shi për metër katror, nuk priten në ditët në vijim. Nesër do të kemi reshje të lehta tipike për stinën e vjeshtës, ndërsa më pas moti do të jetë stabil dhe i thatë gjatë gjithë javës. Pas nesër, pritet një periudhë 10-ditore me mot të qëndrueshëm, me diell dhe temperatura më të ulëta në mëngjes”, tha Marija Cvetkovska Atanasova, Sinoptike.
Ndërkohë, reshjet intensive kanë shkaktuar rrëshqitje dheu në disa akse rrugore, por sipas autoriteteve, situata tashmë është normalizuar.
“Gjatë mëngjesit, për shkak të reshjeve të dendura që përfshinë tërë vendin, pati rrëshqitje dheu në disa akse rrugore – veçanërisht në kalime malore dhe në segmente që kalojnë nëpër gryka. Pati qarkullim alternativ dhe ndërprerje të përkohshme në Bashino Sello, para pikës pagesore Sopot, por zona është pastruar dhe qarkullimi tashmë zhvillohet normalisht”, tha Vlladimir Atanasovski, Udhëheqës në AMSM.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftuan se në lagjen Dardania të Tetovës, për shkak të ujit të grumbulluar në një nënkalim, një automjet ka mbetur i bllokuar gjatë përpjekjes për të kaluar nëpër pjesën e përmbytur./Alsat.mk





