12.8 C
Skopje
Thursday, October 23, 2025

Nga 1 janari 2026 në Maqedoni hyn në fuqi detyrimi evropian për dekarbonizim, ja çka do të ndodhë

Nga 1 janari 2026 fillon zbatimi i rregullave evropiane për dekarbonizim, proces për uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit që krijohen nga kapacitetet industrial, shkruan Alsat.

Qëllimi është reduktimi gradual i ndotjes dhe kalimi drejt një ekonomie më të pastër dhe “të gjelbër”, në përputhje me standardet evropiane.

Në fazën e parë, detyrimet do të zbatohen për industrinë e çelikut dhe të çimentos, dy sektorë që janë ndër burimet më të mëdha të ndotjes industriale. Edhe pse kishte njoftime për shtyrje të mundshme, ajo nuk ndodhi, prandaj kompanitë vendase tani duhet të përshtaten me kërkesat e reja.

Nëse nuk i respektojmë rregullat e BE-së, pra nëse eksportojmë në BE produkte që janë prodhuar me lëndë djegëse fosile, ato produkte do t’i nënshtrohen tarifave doganore më të larta dhe kështu do të jenë jokonkurruese në tregjet evropiane.

Nga Oda Ekonomike sqarojnë se shteti tashmë ka marrë obligime evropiane dhe se ky proces është i pashmangshëm.

“Detyrimet janë detyrime dhe në parim, nëse kompanitë kanë problem, do të diskutojmë për sa kohë mund t’u nevojitet për t’u përshtatur, por anulimi i këtij procesi nuk mund të ndodhë”, u shpreh Antoni Peshev – drejtor i përgjithshëm i Odës Ekonomike.

Nga 1 janari detyrimet do të zbatohen vetëm për këto dy sektorë, por pritet zgjerim gradual edhe në fusha të tjera, veçanërisht tek kompanitë që eksportojnë në BE. Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, konfirmoi se do të ketë një periudhë tranzitore dhe se Bashkimi Evropian ka shtyrë pjesërisht afatet për zbatimin.

“Aktualisht detyrimet i përkasin çelikut dhe çimentos. Do të ketë periudhë tranzitore dhe diskutime për lidhjen e tregjeve. Kështu që duhet të ketë përjashtime, dhe BE-ja vetë i ka shtyrë pak afatet”, theksoi Sanja Bozhinovska – ministre e Financave.

Me këtë masë, Maqedonia hyn në një fazë të re të tranzicionit energjetik dhe industrial, me qëllim përafrimin me politikat e gjelbra evropiane dhe uljen afatgjatë të ndotjes./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit