17.8 C
Skopje
Thursday, October 23, 2025

VLEN dhe AKI me fushatë në Bogovinë – Abazi dhe Emshiu kërkojnë votën në raundin e dytë

Dy kandidatët për kreun e komunës së Bogovinës kanë vazhduar aktivitetet parazgjedhore. Kandidati i koalicionit VLEN, Feti Abazi tha se do të shkojë derë më derë për të prezantuar programin e tij, me të cilin garon për mandat katërvjeçar për Bogovinën.

“Do vazhdojmë me programin tonë edhe këtë afat dy javor, mundësisht të mbërrij tek qytetari i fundit, lidhur me problematikat e ujësjellësve që i kemi në territorin e komunës së Bogovinës, investimet kapitale të projekteve infrastrukturore, dhe në ekologji, me pastrimin gjegjësisht intervenimin tek deponitë e egra që i kemi. Pastaj qasje jonë institucionale do jetë për një komunë apo institucion transparent”, tha Feti Abazi, kandidat i VLEN për Bogovinën.

Ndërkohë Kandidati i AKI-së për Bogovinën Besnik Emshiu, tha se në periudhën e mbetur të fushatës do të fokusohet në promovimin e projekteve të realizuara dhe ato që do të realizohen.

“Gjatë këtij mandati katërvjeçar janë realizuar shumë projekte, afër 13 janë fituar dhe në mandatin tjetër do t’i hapim thirrjet për ti realizuar këto projekte. Projektet kryesore që i kemi realizuar në komunën e Bogovinës është salla e sportit që ka qenë kërkesë e kamotshme e banorëve të Bogovinës, pastaj kemi realizuar ujin për pije në Pirok ku është duke u punuar.  Gjitha këto projekte që kemi bë gjatë kësaj fushate do mundohemi ti promovojmë që qytetarët të kenë njohuri për punët që janë bërë”, u shpreh Besnik Emshiu, kandidat i AKI për Bogovinën.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 2 nëntor në Komunën e Bogovinës të drejtë vote kanë 29.088 votues në gjithsej. 38 vendvotime./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit