11.8 C
Skopje
Thursday, October 16, 2025

Nga 6.000 pacientë me çrregullime mendore regjistrohen çdo vit gjatë dekadës së fundit në RMV, çdo i treti adoleshent raportoi depresion

Gjatë dekadës së fundit, në Maqedoni janë regjistruar mesatarisht rreth 6,000 raste spitalore në vit që lidhen me çrregullime mendore dhe të sjelljes, sipas klasifikimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) (ICD-10), sipas Raportit mbi Çrregullimet Mendore në Maqedoni (2014–2023) të përgatitur nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.

Diagnozat më të zakonshme janë skizofrenia dhe çrregullimet e lidhura me to (26.9%), si dhe çrregullimet e shkaktuara nga përdorimi i substancave psikoaktive (24.2%). Çrregullimet neurotike, të lidhura me stresin dhe somatoforme dominojnë shërbimet ambulatore, duke përbërë mbi 60% të të gjitha rasteve, të ndjekura nga çrregullimet e humorit (13.6%) dhe skizofrenia (6.3%).

Hulumtimet e kryera pas pandemisë COVID-19 tregojnë se të rinjtë janë një grup veçanërisht i prekshëm – pothuajse çdo i treti adoleshent raportoi simptoma të depresionit ose ankthit, duke treguar pasoja psikologjike afatgjata të krizave shëndetësore dhe sociale.

Sipas hulumtimit “Pasojat e pandemisë COVID-19 mbi shëndetin e popullsisë së rritur në Maqedoni” të kryer në vitin 2022, më shumë se një e treta e të anketuarve raportuan se përjetonin stres të shtuar, ankth ose ndjenjë pasigurie, dhe çdo i katërti raportoi simptoma depresioni.

Më të prekurat ishin gratë, personat me sëmundje kronike dhe ata që humbën një anëtar të ngushtë të familjes ose punë. Pandemia çoi gjithashtu në përkeqësim të zakoneve të përditshme, siç janë gjumi i çrregullt, dieta jo e duhur dhe aktiviteti i reduktuar fizik, të cilat ndikuan më tej në mirëqenien psikologjike. Këto gjetje nxjerrin në pah rëndësinë e mbështetjes sistemike psikosociale dhe përmirësimit të njohurive shëndetësore për përballimin e stresit dhe situatave të krizës.

“Pavarësisht disa përparimeve, qasja në shërbimet e shëndetit mendor mbetet e kufizuar dhe e pamjaftueshme, veçanërisht në zonat rurale, ku disa institucione shëndetësore përballen me mungesë të stafit profesional dhe një shpërndarje të pabarabartë të burimeve.

Për të përmirësuar shëndetin mendor në nivel kombëtar, është e nevojshme të forcohet parandalimi, të zhvillohen ekipe mobile dhe shërbime të shëndetit mendor në distancë (mbështetje psikologjike online), si dhe të përfshihet shëndeti mendor në të gjitha politikat publike, nga arsimi dhe puna deri te mbrojtja sociale dhe e të rinjve”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Theks i veçantë, thonë ata, duhet t’i kushtohet programeve të shëndetit mendor për fëmijët dhe të rinjtë, duke përfshirë mbështetjen psikologjike në shkolla dhe duke forcuar shërbimet profesionale.

“Duke forcuar qendrat e shëndetit mendor në nivel lokal dhe duke krijuar kushte për mbështetje në kohë dhe të arritshme, mund të ndërtohet një mjedis në të cilin shëndeti mendor do të njihet si përparësi dhe një përgjegjësi e përbashkët sociale”, thotë Instituti i Shëndetit Publik.

Përndryshe sipas një raporti nga Komisioni i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Kohezionin Social, një në gjashtë persona në mbarë botën vuan nga vetmia, e cila lidhet me më shumë se 871,000 vdekje çdo vit, ose 100 vdekje çdo orë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit