Formula 1-shi fillon në rrugën Strasho Pinxhur në Tetovë dhe vazhdon me një garë të çmendur nëpër qytet. Një aeroplan i “VLEN”-it ngrihet nga “pista” në bulevardin “Vidoe Smilevski Bato” – një nga projektet më të mëdha në komunë, në të cilin është planifikuar të ndërtohen katër rrethrrotullime. Ky është vizioni i kryetarit të komunës së Tetovës dhe liderit të Besës, Bilall Kasami, i cili kandidon për një mandat të ri për kryetar komune si kandidat i “VLEN”-it. Çfarë ka bërë deri më tani, por edhe planet e tij për të ardhmen, vendosi t’ua prezantojë qytetarëve nëpërmjet rrjeteve sociale me ndihmën e videove futuriste të krijuara nga inteligjenca artificiale (IA), shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.
Ai nuk është i vetmi kandidat për kryetar komune që vendosi ta zhvillojë fushatën e tij me ndihmën e IA-së. Pothuajse të gjitha partitë dhe kandidatët kanë përdorur mjetet e reja të ofruara nga teknologjia moderne. Qoftë për krijimin e slloganeve apo mesazheve me tekst në rrjetet sociale, apo për krijimin e videove dhe materialeve zgjedhore – disa me mjeshtëri, të tjerët me më pak mjeshtëri – ata po përpiqen t’u afrohen dhe të fitojnë mbështetjen e votuesve. Ajo që analistët po vënë re është se, mbi të gjitha, në këto zgjedhje fokusi është tek të rinjtë dhe fitimi i simpative të tyre.
Fushatë sterile dhe sllogane jo-inventive
Pavarësisht kësaj qasjeje “inovatore” të disa prej pjesëmarrësve në zgjedhjet e ardhshme lokale të dielën (19 tetor) edhe në këto zgjedhje lokale ekziston përshtypja se slloganet dhe fushatat nuk janë as origjinale dhe as të lehta për t’u mbajtur mend. Disa prej tyre janë shumë të gjatë, nuk dërgojnë asnjë mesazh dhe mezi ngjallin ndonjë asociacion tek elektorati. Sllogani nuk fiton zgjedhjet, por është qershia mbi tortë e çdo cikli zgjedhor.
Shumica e njerëzve ende e kujtojnë slloganin legjendar të Partisë Demokratike nga viti 1994 – “Me duar të pastra”, i cili ende lidhet me emrin e udhëheqësit të atëhershëm të partisë – Petar Goshev.
Goce Paçemski, specialist i marrëdhënieve me publikun dhe menaxhimin e komunikimit, konsideron se fushata është sterile dhe slloganet janë jo-inventive.
“Fushata për këto zgjedhje lokale, veçanërisht nëse analizohen slloganet dhe zgjidhjet e dizajnit, duket dhe tingëllon shumë jo origjinale, madje edhe e mërzitshme. Mendoj se një pjesë e madhe e ekipeve që e kanë përgatitur përmbajtjen e komunikimit të partive dhe kandidatëve janë mbështetur tepër në këshillat dhe udhëzimet e inteligjencës artificiale, prandaj një pjesë e madhe e slloganeve dhe zgjidhjeve vizuale tingëllojnë dhe duken gjenerike, sterile dhe jo mbresëlënëse”, tha Paçemski për DW.
VMRO-DPMNE-ja në pushtet vendosi të shkojë në zgjedhje me slloganin “Zgjedhja e duhur. Njeriu yt! Vendi yt! Për të ardhmen tënde!”. Nga ana tjetër, LSDM-ja opozitare porositi: “Ne po luftojmë për shtëpinë tonë!”, gjë që shkaktoi reagimin e kryeministrit Mickoski.”Venko Filipçe doli para qytetarëve me slloganin “Po luftojmë për shtëpinë tonë”. Pyetja është për cilën shtëpi? Për haciendat në Dubai, për haciendat në Halkidiki, për jahtet në Halkidiki, për kompanitë në Petriç. Për çfarë po luftojnë? Ata patën mundësinë të luftojnë për shtëpinë e tyre për 7 vjet. BDI dhe Ali Ahmeti po e zhvillojnë të gjithë fushatën e tyre duke na kthyer dekada prapa, 30-40 vjet, duke na kujtuar disa takime me gjeneralë, ose nuk e di çfarë. Në një fushatë në të cilën duhet të flasim për të ardhmen, në një fushatë në të cilën bota flet për inteligjencën artificiale, kur bota flet për marrëveshjen e madhe të gjelbër, kur bota flet për pushtimin e hapësirës”, tha Mickoski disa herë gjatë fushatës zgjedhore.
Mickoski e njoftoi fushatën zgjedhore me mesazhin se “Më e mira ende nuk ka ardhur”, por sipas liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, “ky është sllogani më i keq për një fushatë dhe një nënvlerësim i inteligjencës së qytetarëve”. “Çfarë është kjo që “ende nuk ka ardhur”? A nuk mjaftuan katër vjet pushtet lokal dhe një vit pushtet qendror për të bërë diçka?” pyeti ai në rrjetet sociale më 18 qershor të këtij viti.
“Dikush e di – dikush po gjëmon”
Partneri i koalicionit qeveritar ZNAM ka vendosur për slloganin “E DI dhe Shkupi (Qendra, Kumanova…) e dinë”, ndërsa koalicioni “VLEN” po kandidon me slloganin “Një zë”. Bashkimi Demokratik për Integrim në të kaluarën ka zgjedhur sllogane që janë shpallur me muaj të tërë për të intriguar publikun. Të tilla ishin slloganet: “Po! Ai po vjen”, ose sllogani “i blertë” me të cilin partia kandidoi në zgjedhjet lokale katër vjet më parë: “Zgjidh jetë, voto blertë”. Tani partia ka vendosur për slloganin e shkurtër “Bashkë”, ndërsa kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, po zhvillon një fushatë shumë aktive me slloganin “Bashkë për Çairin. Ta bëjmë ndryshimin”.
Lideri i GROM-it, Stevçe Jakimovski, i cili kandidon për kryetar të komunës së Karposhit për herë të pestë, garon në zgjedhje me slloganin “Ta mbrojmë Karposhin, ta ruajmë dinjitetin”, gjë që ka shkaktuar reagime dhe dilema në rrjetet sociale – nga kush duhet ta “mbrojmë” Karposhin? E Majta ka mbetur pa fonde për reklama shtetërore, kështu që e ka zhvendosur fushatën e saj kryesisht në rrjetet sociale. Me slloganin “Populli Tani” dhe videoklipet e shkurtra në Facebook, ata po përpiqen të depërtojnë kryesisht tek të rinjtë, por edhe tek të pakënaqurit që ende nuk kanë vendosur se për kë do të votojnë.
Projekte ambicioze dhe premtime joreale
Paçemski i thotë për DW-në se disa nga mesazhet e dërguara nga parti dhe kandidatë të caktuar madje tingëllojnë edhe arrogante, gjë që na çon në përfundim se ato janë të destinuara vetëm për anëtarët dhe mbështetësit e partisë së tyre, dhe jo për votuesit e pavendosur.
“Programe dhe retorika zgjedhore e shumë kandidatëve janë plot me projekte ambicioze dhe premtime joreale, shumë prej të cilave përsëriten nga ciklet e mëparshme zgjedhore, ndërsa oferta e zgjidhjeve praktike për problemet e hidhura që kanë një ndikim të madh në cilësinë e jetës së njerëzve, kam përshtypjen se është lënë pas dore plotësisht ose është shmangur qëllimisht”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Sipas tij, problemi kryesor për një fushatë kaq sterile është se shumica e partive dhe pjesëmarrësve të tjerë në fushatë, gjatë krijimit të programeve të tyre zgjedhore dhe strategjive të komunikimit, nuk u udhëhoqën nga problemet reale të njerëzve në komunitetet lokale dhe ato nuk janë rezultat i hulumtimeve profesionale dhe të thelluara të anketave, por i improvizimeve dhe vlerësimeve personale.
Inteligjenca artificiale në fushatë – po apo jo?
Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në fushatat zgjedhore dhe nuk është “ mëkat” nëse përdoret edhe në vendin tonë. Mirëpo, analistët janë të vendosur se duhet të përdoret në mënyrën e duhur, të mos keqpërdoret për të përhapur dezinformata, të shënohet qartë se është IA dhe të bëhet kujdes që të mos humbet autenticiteti i atyre që e përdorin.
“Po zgjidhen disa fjalë të bukura, të mëdha që kanë metaforikë të pasur, për shembull fjala vizion”, dhe mendoj se përdoret shumë, sepse për temat lokale nuk kemi nevojë për aq shumë vizionarizëm.
Ne kemi, të themi, 100 gjëra që duhen bërë, pastruar, vënë gjërat në rregull”, tha profesori universitar Sead Xhigall në debatin në “360 Gradë” në RTM 1. Ne e pyetëm ChatGPT-në nëse inteligjenca artificiale po përdoret në fushatat zgjedhore. Cilat janë përvojat dhe në cilat vende po përdoret. A përdoret për të krijuar sllogane, mesazhe në rrjetet sociale, për videoklipe? A përdoret inteligjenca artificiale edhe në fushatën për zgjedhjet lokale në Maqedoni? “Pyetje e shkëlqyer — shkurt dhe e qartë: po, inteligjenca artificiale (IA) përdoret tashmë në fushatat zgjedhore në të gjithë botën, por intensiteti dhe metodat e përdorimit ndryshojnë sipas vendit. Më shpesh përdoret për gjenerimin automatik të teksteve dhe përmbajtjeve vizuale, mesazhe të personalizuara, chatbot-e automatikë, targetim/mikro-targetim t ë votuesve dhe (në disa raste) teknika manipuluese si deepfake video dhe audio”, është pergjigjje që morëm nga mjeti i famshëm.
Kërkimi i saj në arkivat e internetit tregoi se në SHBA dhe Evropën Perëndimore, ekipet partiake dhe operatorët e pavarur kanë përdorur IA gjeneruese për reklama, tekste, meme dhe automatizimin e mesazheve, por ka pasur edhe shqetësime në lidhje me deepfakes-at dhe mikro-targetimet. Nga ana tjetër, në Indi, rregullatorët e zgjedhjeve dhe mediat tashmë po merren me çështjet e regjistrimit/etiketimit të përmbajtjes politike të gjeneruar nga IA.
Gjëja pozitive është se me IA kursejet kohë dhe para, por ekziston rreziku i përhapjes së dezinformatave dhe problemeve rregullatore/etike (privatësia, mungesa e transparencës). Shumë organizata të shoqërisë civile dhe rregullatorë tashmë po kërkojnë rregulla për regjistrimin/zbulimin e materialit politik të gjeneruar nga IA.
Sipas ChatGPT, nuk ka “prova të qarta të përdorimit masiv/zyrtar të IA-së në fushatë në zgjedhjet lokale në Maqedoni në vitin 2025”. “Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet – ekipet e vogla ose individët (konsulentë, agjenci, aktivistë të rinj) mund të përdorin mjete IA pa u raportuar gjerësisht. Këto përdorime të vogla shpesh nuk zbulohen nga mediat”, thekson mjeti në analizën e tij.
Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.