Kandidati për qytetin e Shkupit, Bashkim Bakiu ka prezantuar planin e tij për katër vitet e ardhshme, duke bërë thirrje për një kthesë të fortë drejt normalitetit, transparencës dhe zhvillimit të barabartë në të gjitha komunat e kryeqytetit.
Bakiu theksoi se qeverisja aktuale nuk i ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe se Shkupi ka mbetur për vite të tëra nën kaos, pluhur dhe papërgjegjësi.
Bakiu prezantoi planin e tij të ndërtuar mbi shtatë shtylla kryesore, të cilat ai i cilësoi si “shtatë arsye përse më 19 tetor qyteti duhet të zgjedhë ndryshimin e vërtetë, jo zhurmën e vjetër”.
Shtatë pikat kryesore të planit:
1.Rendi dhe llogaridhënia – Transparenca do të jetë rregull, jo përjashtim. Drejtuesit e institucioneve do të përgjigjen për punën e tyre para qytetarëve.
2.Transport modern dhe pa kaos – Një sistem i ri ekologjik dhe efikas do të lidhë të gjitha lagjet e Shkupit.
3.Qytet i pastër – Do të krijohet një sistem i rreptë raportimi dhe përgjegjësie për pastrimin e qytetit.
4.Jo më plehra, por parqe dhe energji të pastër – Investime në teknologji të riciklimit dhe ndalimi i betonizimit të gjelbërimit.
5.Ndërmarrje publike që punojnë për qytetarët – Do të transformohen në institucione profesionale me efikasitet të lartë dhe qëndrim shërbyes ndaj qytetarëve.
6.Shkup për të rinjtë, sportin dhe kulturën – Investime në hapësira sportive, qendra rinore dhe aktivitete kulturore.
7.Zhvillim i barabartë për të gjitha komunat – Jo vetëm qendra, por edhe periferia do të jetë prioritet, për një Shkup të barabartë për të gjithë.
Në fund të fjalimit të tij, Bashkim Bakiu theksoi se beteja e tij nuk është për pushtet, por për normalitetin që ky qytet e meriton.