14.8 C
Skopje
Tuesday, October 14, 2025

Një faqe e re për gjuhën shqipe në Amerikë: Programi Shqip-Anglisht në Arsimin Publik

shkruan: Beqir Sina/INA

Historia e shkollave shqipe në diasporën shqiptare të Shteteve të Bashkuara është një dëshmi e përkushtimit dhe punës së palodhur të komunitetit shqiptar. Është një histori që meriton të tregohet me saktësi dhe respekt, duke nderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, pa u atribuuar merita të pavërteta individëve të vetëshpallur.

Në Nju Jork, që nga vitet 1970 deri në 1990, komuniteti shqiptar ka hapur shkolla shqipe, të mbështetura nga institucione fetare si Kisha “Zoja e Shkodrës” dhe Xhamia e Bruklinit. Këto shkolla ishin fryt i një bashkëpunimi të gjerë të komunitetit, organizatave dhe shoqatave atdhetare, dhe jo atyre përpjekjeve individuale.

Më vonë, në vitet 1990, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) hapi shkollën shqipe në Bronx, ndërsa Shoqata Atdhetare “Dibra” themeloi një tjetër në Staten Island. Po ashtu, “Vatra” hapi shkollën e saj në Shtëpinë e Vatrës.

Rreth viteve 1999-2000, u themelua Shkolla Shqipe e “Institutit Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Staten Island, e cila, për fat të keq, u përball me probleme administrative dhe pronësie, duke çuar në keqpërdorimin e kontributeve të komunitetit nga dy individë, që përvetsuan dokumentet dhe materialin shkollor.

Sot, shkolla shqipe funksionojnë në disa zona të Nju Jorkut, si Bronx, Bruklin, Queens dhe Staten Island, dhe Long Island shpesh duke shfrytëzuar hapësira publike, dhe per fat te keq asnjera nuk ka ndertesen e saj, si ne Nju Xhersi, Filadelfia, Çikago, Feniks, Waterbury, e Dallas.

Të gjitha këto shkolla janë rezultat i punës së përbashkët të komunitetit dhe jo i një personi apo çifti që pretendon se ka themeluar gjithçka vetë. Fatkeqësisht, ka pasur raste kur individë të caktuar kanë manipuluar të vërtetën, duke u vetëquajtur “heronj” të shkollave shqipe dhe duke shpërndarë narrativa të rreme përmes rrjeteve sociale dhe portaleve të ndryshme.

Një shembull është pretendimi për tituj si “Ambasadore e Shkollës Shqipe” apo mirënjohje të marra në rrethana të dyshimta, siç ndodhi gjatë Samitit të Parë të Diasporës, kur ish-Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ndau disa çmime për individë të afërt me të, por që ky çmim kjo ministri dhe ai samit ishte vetem për atë vit nga që nuk egziston më.

E vërteta për shkolla shqipe në Nju Jork është e qartë: ato janë fryt i një përpjekjeje kolektive të aktivistëve, mësuesve, prindërve dhe organizatave shqiptare. Meritat u takojnë të gjithëve atyre që kanë punuar me përkushtim për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare, dhe jo individëve që përvetësojnë këto arritje për lavdi personale.

Historia e shkollave shqipe si ajo e vjetra dhe ajo e reja është e gjatë dhe e bukur, dhe meriton të tregohet me dinjitet dhe ndershmëri, duke nderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit