17.8 C
Skopje
Tuesday, October 14, 2025

Këngë homoseksualësh apo traditë sufiste? Debati që ndan studiuesit shqiptarë

 

Një debat i vjetër, por gjithnjë i ndjeshëm, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes: a përfaqësojnë të ashtuquajturat këngë të dylberëve një shprehje të hershme të homoseksualitetit në folklorin shqiptar, apo janë pjesë e trashëgimisë sufiste me kuptime shpirtërore e mistike?

Sipas Krenar Dolit, studiues në degën e Folklorit në Institutin Albanologjik në Prishtinë, këto këngë nuk duhen parë përmes prizmit të erotizmit fizik, por si shprehje e dashurisë ideale dhe shpirtërore që buron nga tradita sufiste. Ai thekson se në këtë letërsi, termi “dylber” nënkupton “zemërrëmbyesin” – figurë që përfaqëson bukurinë hyjnore, të lidhur me dashurinë ndaj Zotit apo udhëheqësve shpirtërorë.

“Shumë këngë të Jusuf Myzyrit janë gabimisht interpretuar si këngë dylberësh, ndërkohë që ato në të vërtetë ishin himne sufiste për dashurinë ndaj mësuesit shpirtëror”, sqaron Doli për Nacionale.

Në anën tjetër, Fitim Veliu, gjithashtu studiues i folklorit, sjell një qasje krejt tjetër. Ai pohon se në këngët popullore për dylberin janë trajtuar edhe ndjenjat seksuale ndaj gjinisë së njëjtë, ndonëse në mënyrë të tërthortë e pa identitet të qartë. “Këto këngë kanë ekzistuar dhe janë përjetuar si diçka reale, por kurrë të pranuara hapur për shkak të kodeve etike, fetare dhe shoqërore të shqiptarëve”, thotë Veliu.

Ndërkohë, sociologu i religjionit, Abdylnëntor Musliu, thekson se këto krijime duhet lexuar përbrenda mistikës islame, pasi dashuria në sufizëm është formë e afrimit shpirtëror me Zotin. Ai sjell shembullin e poezive të Rumi-t, të cilat shpesh janë keqinterpretuar si poezi dashurie tokësore, ndërkohë që në thelb janë poezi metafizike.

“Poezia e dylberëve është pjesë e një trashëgimie të pasur shpirtërore, që shpesh është keqkuptuar ose shtrembëruar nga lexime selektive e të ngarkuara me paragjykim,” komenton Musliu.

Debatet mbi këngët e dylberëve u ringjallën pas diskutimeve në Kuvendin e Kosovës për projekt-kodin civil që njeh bashkësitë civile të seksit të njëjtë, çka nxiti përplasje dhe interpretime të shumta mbi traditën dhe identitetin kulturor shqiptar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit