Në një takim me qytetarët e fshatit Pirok, kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Bogovinës, Feti Abazi, ka prezantuar projektet konkrete që tashmë janë miratuar dhe planin e tij për një qeverisje ndryshe, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
“Për mua më e rëndësishme është të përcjellim mesazhin tonë tek qytetarët. Nëpërmjet video-incizimeve, të gjithë kanë parë qartë qëllimin tonë për një menaxhim serioz e të mirëfilltë të komunës. Ne nuk kemi asgjë kundër askujt me bindje të ndryshme politike – synimi ynë është të ndryshojmë mënyrën e funksionimit të komunës,” tha Abazi.
Ai theksoi se për Pirokun tashmë nga qeveria janë miratuar rruga e Jurisë dhe vazhdimi i ujësjellësit, ndërsa ka në plan një sërë projektesh që do të realizohen menjëherë pas zgjedhjeve:
Ndërtimi i çerdhes për fëmijë
Salla shkollore (projekt tashmë i miratuar)
Rikonstruksioni i stadiumit të futbollit – me tribuna dhe rrethoja të reja
Shëtitorja në rrugën e re që do të përfundojë së shpejti
“Më vjen keq që deri më tani gjithçka është bërë me sakrificë dhe nga xhepi i qytetarëve, pa mbështetje nga buxheti komunal. Komuna duhet të jetë përkrahëse e vullnetit të mirë të banorëve,” shtoi Abazi.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që më 19 tetor t’i japin mbështetje për të sjellë ndryshimin në mënyrën e qeverisjes lokale, duke e kthyer komunën në një institucion të hapur, që i shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë.