Pas suksesit të dokumentarit “Beckham” që solli në ekran jetën e David Beckham, këtë vit Netflix ka publikuar një seri të re të përqendruar te bashkëshortja e tij, Victoria Beckham.
Dokumentari i ri zbulon historinë e transformimit të saj nga një këngëtare pop e grupit “Spice Girls” në një dizajnere të respektuar ndërkombëtarisht — një udhëtim i mbushur me pasiguri, dështime, por edhe me një forcë të jashtëzakonshme për të mos u dorëzuar.
Në premierën e mbajtur në Londër, Victoria foli për periudhën më të vështirë të jetës së saj pas ndarjes së grupit “Spice Girls”.
“Ndihesha e humbur. Kujtoj që mendoja: ‘Zot, çfarë do të bëj tani?’, gjithçka që njihja kishte mbaruar”.
Ajo tregoi edhe për presionin mediatik të asaj kohe, përfshirë momentin kur u peshuar publikisht vetëm gjashtë muaj pas lindjes së djalit të saj.
“Isha shumë e re dhe më lëndoi vërtet. Fillova të dyshoja në vetvete dhe të mos e pëlqeja më veten”.
Në dokumentar, ajo pranon se për vite është përballur me një çrregullim në ushqyerje.
“Kur ke një çrregullim të tillë, bëhesh mjeshtër në fshehje. Nuk isha kurrë e sinqertë për këtë, as me prindërit e mi”, shpjegon ajo, duke pranuar se kritikat për pamjen e saj e kishin dëmtuar thellë emocionalisht.
Pas zhvendosjes së familjes në Spanjë në vitin 2003, Victoria ndjeu nevojën të qëndronte në qendër të vëmendjes për të ruajtur identitetin e saj.
“E vlerësoja atë që kisha, por më mungonte qëllimi. Duhej të gjeja diçka që të ishte vetëm e imja”.
Në vitin 2008, Victoria themeloi markën e saj të modës, por përballja me botën e modës ishte e ashpër.
Vetëm në vitin 2013, redaktorja legjendare e Vogue pranoi ta ndiqte për herë të parë. Megjithatë, sukseset nuk e shpëtuan nga vështirësitë financiare. Në vitin 2016, biznesi i saj gjendej në krizë.
“Ishim miliona në humbje. Ishte e dhimbshme për të dy”, kujton David Beckham, i cili pranoi se s’mund ta ndihmonte më financiarisht në atë periudhë.
Një investim i ri në vitin 2017 nga biznesmeni David Belhassen e shpëtoi kompaninë, megjithëse fillimisht ai vetë e konsideroi projektin “një katastrofë”.
“Nuk kishin bërë kurrë fitim. Shpenzonin 80 mijë euro në vit vetëm për bimë zyre”, rrëfeu ai.
Victoria e pranon se dikur kishte humbur kontrollin:
“Nuk e kuptoja sa e shthurur isha me paratë. Njerëzit kishin frikë të më thoshin ‘jo’”.
Por falë përkushtimit dhe këmbënguljes, në vitin 2022 marka e saj doli më në fund nga humbjet, duke shënuar një kapitull të ri në jetën e një gruaje që refuzoi të ndalej, edhe kur bota dyshonte tek ajo.
“Kam mësuar që kontrolli i vërtetë nuk vjen nga pasqyrat apo nga pesha, por nga mënyra si e sheh veten”.