12.8 C
Skopje
Wednesday, October 8, 2025

Plagosja e kryebashkiakes gjermane/ Dyshohet për të bijën adoleshente

Kryebashkiakja e sapozgjedhur e qytetit Herdecke në Gjermani, Iris Stalzer, u gjet të martën në shtëpi në gjendje të rëndë, pasi kishte marrë disa plagosje me thikë.

Shërbimi i emergjencës u lajmërua nga vajza 17-vjecare e Stalzer. Tashmë Iris Stalzer është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa hetuesit kanë dalë në përfundimin që e dyshuara kryesore e plagosjes është e bija e Stalzer.

Policia mori në pyetje 17-vjeçaren dhe të vëllanë e saj 15-vjeçar. Dy thika dhe rroba u gjetën në vendin e ngjarjes që raportohet të ketë ndodhur brenda mureve të shtëpisë.

Sipas hetuesit të policisë Jens Rautenberg, të martën në darkë Iris Stalzer kishte deklaruar se mendonte se e dyshuara kryesore ishte e bija. Ai nuk komentoi mbi natyrën e konfliktit në familje, as për motivin e aktit.

Prokurori Bernd Haldorn tha se dy fëmijët do të liroheshin dhe do të vendoseshin në kujdestarinë e Zyrës së Mirëqënies së të Rinjve.

Media rajonale WDR ka deklaruar se edhe në të shkuarën kishte marrë telefonata për dhunë nga familja Stalzer, ndërkohë që revista e lajmeve Spiegel tha se një incident ishte raportuar në polici edhe në verën e këtij viti, ku përfshihej vajza e Stalzer, e cila e kishte sulmuar të ëmën me thikë.

Iris Stalzer pritet të marrë detyrën më 1 nëntor. Ajo është anëtare e Partisë Social Demokratike (SPD) të qendrës së majtë, partisë së vogël në qeverinë kombëtare të udhëhequr nga konservatorët e Gjermanisë./CNA

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit