Bartësi i listës për Këshillin e Qytetit të Shkupit nga radhët e koalicionit VLEN, Zekerija Berisha, ka zhvilluar sot aktivitete në terren bashkë me bartësin e listës për Komunën e Çairit, Muhamed Murtezi, ku janë takuar me qytetarë dhe kanë prezantuar një projekt konkret që synon përmirësimin e kushteve të jetesës në ndërtesat kolektive.
Berisha tha se projekti për vendosjen e ashensorëve në ndërtesat që aktualisht nuk i kanë është një nga nismat më të rëndësishme për ta bërë Çairin më të qasshëm dhe më të barabartë për të gjithë banorët.
“Ky projekt do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës, veçanërisht për të moshuarit, personat me nevoja të veçanta dhe nënat me fëmijë. Një Çair më i qasshëm është një Çair më dinjitoz”, theksoi Berisha.
Ai shtoi se përmes politikave të kujdesshme dhe investimeve konkrete, VLEN synon të ndërtojë një Shkup më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës, ku qytetarët të ndihen të respektuar dhe të mbështetur në çdo aspekt të jetës së përditshme.