Shkup, 7 Tetor 2025 – Vizitë pune në EVN Maqedoni nga Ministrja Federale e Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, znj. Klaudia Plakolm
Në ambientet e kompanisë EVN Maqedoni, më 6 tetor 2025, u zhvillua një vizitë pune nga Ministrja Federale e Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, znj. Klaudia Plakolm.
Delegacioni austriak u shoqërua nga Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para të Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Sanja Bozhinovska, si dhe nga Shkëlqesia e Tij Martin Pammer, Ambasador i Republikës së Austrisë në vend, së bashku me përfaqësues të tjerë nga Ambasada Austriake.
Gjatë vizitës, të ftuarit patën mundësi të njihen nga afër me arritjet e EVN Maqedoni në vitet e fundit, me fokus të veçantë në investimet, zhvillimin dhe zgjidhjet moderne digjitale. Një nga pikat më tërheqëse të turit ishte vizita në Qendrën Dispeçerike – nyja qendrore për menaxhimin digjital të rrjetit shpërndarës në nivel kombëtar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bordit Drejtues të EVN Maqedoni, z. Wolfgang Maier, theksoi se legjislacioni dhe rregulloret e hartuara nga Ministria e sapokrijuar e Energjisë janë jashtëzakonisht përparimtare dhe plotësisht të harmonizuara me tregun evropian. Sipas tij, kjo e pozicionon Maqedoninë e Veriut fuqishëm në hartën energjetike të Evropës, pavarësisht se ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian.
Ministrja Bozhinovska vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me EVN Maqedoni, duke e cilësuar kompaninë si shembull i shkëlqyer i mënyrës se si një investitor i huaj mund dhe duhet të bashkëpunojë me institucionet shtetërore – jo vetëm për të zhvilluar veprimtarinë e vet, por edhe për të kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror.
Ministrja austriake, znj. Klaudia Plakolm, shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe u shpreh e impresionuar nga sinergjia ndërmjet sektorit publik dhe atij privat në Maqedoninë e Veriut. Ajo theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve të favorshme nga institucionet për mbështetjen dhe prosperitetin e kompanive, duke e përmendur bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe EVN Maqedoni si një shembull pozitiv dhe frymëzues.
Gjatë takimit u theksua edhe bashkëpunimi i gjatë dhe i suksesshëm midis Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e energjetikës, i cili përfaqëson një model të shkëlqyer të shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira.
EVN Maqedoni, si pjesë e Grupacionit EVN me seli në Austri, mbetet e përkushtuar ndaj investimeve në modernizim, digjitalizim dhe zhvillim të qëndrueshëm, me një synim të qartë: të sigurojë një të ardhme energjetike të qëndrueshme, efikase dhe të gjelbër për të gjithë konsumatorët.