13.8 C
Skopje
Tuesday, October 7, 2025

Mexhiti: Ndërtimi intensiv i bulevardeve dhe parkingjeve në Çair është prioritet kryesor

Kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një konferencë për media sot prezantoi shtyllën e parë themelore të programit zgjedhor, një plan të detajuar për modernizimin e plotë të infrastrukturës rrugore dhe zgjidhjen përfundimtare të problemit të parkimit në komunën e Çairirt.

Në fjalimin e tij, Mexhiti theksoi se Çairi do të bëhet një komunë moderne, e rregulluar dhe funksionale, ku jeta e përditshme e qytetarëve do të jetë më e lehtë dhe më cilësore. Sipas tij, investimi më i madh në historinë e komunës së Çairit do të bëhet në hapësirat për parkim, me projekte konkrete që do të lehtësojnë jetën e qytetarëve.

“Vizioni ynë është i qartë, Çairi do të bëhet një komunë moderne, e rregulluar dhe funksionale, një vend ku jeta e përditshme e qytetarëve është e lehtësuar, jo e vështirësuar. Prandaj, në katër vitet e ardhshme, fokusi ynë do të jetë në projekte kapitale që sjellin rend, siguri dhe standarde evropiane. Nuk do të ketë improvizime, por zgjidhje sistematike. Kemi vendim të qeverisë dhe furnizim të hapur për ndërtimin e parkingut nëntokësor me dy kate nën sheshin “Skënderbeu”, me kapacitet për 800 vetura në një sipërfaqe prej mbi 12.500 metra katror. Kjo do të lirojë bërthamën qendrore, do të mundësojë funksionim normal dhe do ta rrisë vlerën e Çarshisë,” ka deklaruar Mexhiti..

Sipas Mexhitit, do të ndërtohen edhe garazhe në kate në pesë lokacione kyçe, edhe atë tek kompleksi “Çairçanja”, në lagjen “Sauk Çeshme”, në “Fushë Topanë” (afër parkingut të madh), në bulevardin “Nikolla Karev” dhe tek salla “Partizan”.

Në pjesën e dytë të prezantimit, Izet Mexhiti, kandidat i VLEN-it për kryetar në komunën e Çairit paralajmëroi një ofensivë të gjerë për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve, me qëllim që Çairi të ketë infrastrukturë moderne dhe të sigurt për këmbësorët, biçiklistët dhe automjetet.

Sipas tij ndër projektet më të rëndësishme janë, zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov” në bulevard me 6 korsi dhe shtigje për biçikleta, zgjerimi i bulevardit “Mit’hat Frashëri”, lidhja e rrugës “Xhon Kenedi” me bulevardin “Nikolla Karev”, që do të krijojë një korridor të ri për qarkullim, ndërtimi i bulevardeve “Kroacia” dhe “Mali i Zi”, që do të lehtësojnë lëvizjen nga Autokomanda drejt Sarajit dhe ndërtimi i qarkores në Gazi Babë, tek Mali Gazi Babë, pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore.

Në vazhdim, Mexhiti prezantoi edhe planin për rikonstruksion të plotë të rrugëve në disa lagje të rëndësishme të komunës së Çairit.

Në Topahanë po bëhet përfundimi i rrugës “Masut Sadik” dhe vazhdimi me projekte të tjera, në Çairin e Vjetër, rikonstruim i rrugëve “Parashqevi Qiriazi”, “Dervish Hima”, “Emin Duraku” dhe “Strumiçka”, në Fushë Topanë do të bëhen rrugët “Ferid Murati”, “Ismail Qemali”, “Mehmet Gega”, “Metodija Mitevski” dhe rindërtim i plotë i parkingut të madh me sipërfaqe prej 2.150 m² si dhe në “Teneqe Mahallë” do të bëhet rikonstruksion i plotë i rrugëve 1, 3, 5, 7, 9 dhe 20.

“Do të vendosim rregull dhe standarde evropiane. Do të ketë ndriçim publik krejtësisht të ri dhe instalime elektrike nëntokësore në Çairin e Vjetër dhe Fushë Topanë për më shumë siguri dhe pamje moderne. Do të punojmë për sistemimin e rrugëve njëkahëshe,” ka deklaruar, kandidati i VLEN-it për kryetar në komunën e Çairit, Izet Mexhiti.

Mexhiti ka nënvizuar se ky program është rezultat i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe përmban zgjidhje konkrete e jo premtime boshe.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit