13.8 C
Skopje
Tuesday, October 7, 2025

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjykatat e Shkallës së Parë Vlorë, Fier e Sarandë pezullojnë proceset gjyqësore

Proceset gjyqësorë në Gjykatën e Shkalles së Parë Vlorë do të pezullohen jo vetëm këtë të martë, por deri në datë 10 tetor.

Është ky informacioni më i fundit nga Gjykata e Vlorës. Përjashtim vetëm masat e sigurisë.

Edhe Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë ka pezulluar për sot, ditën e martë, të gjitha proceset gjyqësore.  Ndërkohë edhe Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh dhimbjen dhe hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë ushtrimit të detyrës, në sallën e gjyqit.
Ky akt i rëndë dhe i papranueshëm përbën një sulm brutal ndaj drejtësisë, ndaj figurës së magjistratit dhe ndaj vetë rendit demokratik në Republikën e Shqipërisë. Vrasja e një gjyqtari në vendin ku jepet drejtësia është një goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e gjykimit duhet të shërbejë si thirrje e fortë për të ndaluar çdo formë dhune, fyerjeje, poshtërimi apo kërcënimi ndaj magjistratëve dhe gjithë atyre që kontribuojnë në dhënien e drejtësisë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe miqtë e Gjyqtarit Astrit Kalaja, duke vlerësuar me respekt figurën e tij profesionale dhe njerëzore.
Institucioni ynë angazhohet të bashkëpunojë ngushtë me organet kompetente për garantimin e sigurisë më të lartë për magjistratët, stafin administrativ gjyqësor, avokatët, ekspertët dhe të gjithë qytetarët që frekuentojnë gjykatat.
Vendimi është marrë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi.
Gjatë ditës së sotme, përjashtim do të bëjnë vetëm seancat për masat e sigurisë, ndërsa të gjitha proceset e tjera gjyqësore janë pezulluar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit