12.8 C
Skopje
Monday, October 6, 2025

Ademi: 19 tetori është referendum për dinjitetin e shqiptarëve

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, përmes një deklarate publike ka akuzuar pushtetin aktual për përbuzje sistematike ndaj shqiptarëve dhe ka paralajmëruar se zgjedhjet e 19 tetorit do të jenë një “referendum për dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”.

“Më shumë se një vit, shqiptarët kanë parë me sytë e tyre se çfarë do të thotë përbuzja, si të shkelet dinjiteti, si të përjashtohesh dhe të diskriminohesh në mes të ditës, para syve të botës”, tha Ademi, duke shtuar se “atë e kanë parë ata që punojnë në administratë, të pambrojtur nga poshtërimi politik; e kanë parë policët që i shërbejnë ligjit, por trajtohen si armiq nga ky pushtet; e kanë parë mjekët, pacientët, arsimtarët, prindërit dhe bizneset që ndëshkohen vetëm pse janë shqiptarë”.

Sipas tij, “poshtërimi është bërë realitet i përditshëm për shqiptarët”, dhe kjo gjendje nuk është rastësi, por “rezultat i një grupi të vogël njerëzish të verbuar nga pushteti personal”. “Një klikë që ka ndërtuar sistemin e frikës, servilizmit dhe varësisë. Një grup që beson se shqiptarët do të durojnë pafund, se do të mjaftohen me ndonjë vend pune me kontratë të përkohshme, ndonjë premtim bosh dhe ndonjë fjalë patetike për ‘bashkëjetesë’, apo ndoshta edhe për pak para”, theksoi ai. Ademi theksoi se dita e zgjedhjeve do të shënojë kthesën e madhe për shqiptarët. “Por 19 Tetori po vjen. Dhe bashkë me të po vjen edhe dita kur ky popull do ta thotë fjalën e vet – qartë, me dinjitet dhe pa frikë. Sepse përbuzja ka një kufi, dhe dinjiteti nuk mund të blihet”.

Sipas tij, shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se nuk janë peng i askujt dhe nuk do të lejojnë më që në emrin e tyre të mbahen në këmbë “koalicione turpi dhe qeveri që ushqehen me servilizëm”. “Më 19 Tetor, shqiponjat do të ngrihen përsëri. Do të vershojnë kutitë e votimit për t’i dhënë fund këtij poshtërimi, për të rikthyer ndjenjën e krenarisë dhe për të hapur një epokë të re: të barazisë, të përgjegjësisë dhe të respektit. Kjo nuk është vetëm një datë zgjedhjesh. Është një referendum për dinjitetin dhe krenarinë”, deklaroi Ademi. Nënkryetari i BDI-së paralajmëroi se ditët në vijim do të karakterizohen nga “shpifje dhe panik” nga ata që e dinë se fundi i tyre politik po afron. “Këta njerëz e dinë se fundi i tyre është afër. Dhe prandaj do të shohim shumë panik, shumë shpifje, shumë përpjekje për të trembur qytetarët. Por krenaria është më e fortë se frika”, theksoi ai. Sipas tij, “dinjiteti dhe krenaria janë më të fuqishëm se çdo pushtet i përkohshëm” dhe dita e 19 tetorit do të jetë dëshmia më e qartë e kësaj.

“Nga sot, çdo ditë deri më 16 tetor, do të prezantojmë kandidatët tanë për kryetarë komunash me programet e tyre dhe do të rikujtojmë se si kjo qeveri jolegjitime, monoetnike, gjatë 15 muajve të qeverisjes, e ktheu vendin me dekada prapa”, përfundoi Arbër Ademi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit