Në kuadër të prezantimit të projekteve prioritare për të ardhmen e Çairit, kandidati për kryetar komune nga koalicioni VLEN, z. Izet Mexhiti, shpalli sot planin madhor për ndërtimin e një shkolle të re moderne në lagjen Teneqe Mahallë.
Mexhiti theksoi se arsimi është çelësi i së ardhmes dhe se çdo fëmijë i Çairit meriton kushte dinjitoze për të mësuar dhe për të ecur drejt suksesit. Projekti i ri do të krijojë hapësira për rreth 1300 nxënës, në një objekt me sipërfaqe prej 4700 metrash katrorë, të përbërë nga 54 klasa, 8 kabinete dhe 2 laboratorë bashkëkohorë.
“Kjo shkollë do të funksionojë vetëm me një ndërrim dhe do të shndërrohet në hapësirë të vërtetë zhvillimi dhe krenarie për Çairin”, ka thënë Mexhiti.
Në vazhdim, Mexhiti ka paralajmëruar edhe ndërtimin e objektit të ri të shkollës “Idnina”, duke theksuar se këto investime do ta çojnë numrin e shkollave moderne në Çair në gjithsej 11. Kjo do të krijojë kushte të barabarta dhe dinjitoze për çdo nxënës, duke hapur rrugën drejt zgjidhjes përfundimtare, mësim me vetëm një ndërrim dhe mësim tërë ditor në të gjitha shkollat e komunës.
“Si kryetar i ardhshëm i Çairit, zotohem se arsimi dhe fëmijët tanë do të jenë gjithmonë në krye të prioriteteve tona. Çairi meriton më shumë. Me vendosmërinë tonë, me mbështetjen tuaj dhe me vizionin e qartë për të ardhmen, së bashku do ta bëjmë realitet”, ka përfunduar fjalimin Mexhiti.