Izraeli ka mbyllur të vetmin pikëkalim midis Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe Jordanisë fqinje, duke ndaluar më shumë se dy milionë palestinezë të dalin në botën e jashtme.
Autoriteti izraelit i aeroporteve, i cili mbikëqyr pikëkalimin e Urës Allenby, ka thënë se pikëkalimi do të qëndrojë i mbyllur për një kohë të pacaktuar nga e mërkura në mëngjes “me udhëzimin e udhëheqjes politike”.
Mbyllja ka bllokuar shumë palestinezë në Bregun Perëndimor, të cilët nuk mund të kryejnë udhëtimet e planifikuara jashtë vendit. Ndërkaq, ata që janë jashtë vendit nuk munden të kthehen në shtëpi.
Veprimi vjen vetëm disa ditë pasi dy ushtarakë izraelitë u qëlluan për vdekje pranë pikëkalimit, nga një person i armatosur jordanez, i cili u vra në vendngjarje.
Ishte mbyllur për pak kohë pas atij incidenti, por që atëherë është rihapur.
Pikëkalimi – i njohur edhe si Ura e Mbretit Hussein, është i vetmi pikëkalim zyrtar midis Bregut Perëndimor dhe Jordanisë. Është gjithashtu i vetmi pikëkalim hyrës në Bregun Perëndimor që nuk kalon nëpër Izrael.
Shumica e palestinezëve në Bregun Perëndimor nuk lejohen të udhëtojnë nëpër aeroportet izraelite ose kalimet e tjera kufitare izraelite, që do të thotë se ura është një lidhje thelbësore me botën e jashtme.
Politikani i shquar palestinez, Mustafa Barghouti, i ka thënë BBC-së se veprimi është një “lëvizje e rrezikshme” që nënkuptonte “burgosjen” e njerëzve në Bregun Perëndimor dhe “privimin e tyre nga e vetmja rrugëdalje”.
“Po flasim këtu për pengimin e marrëdhënieve midis qindra mijëra familjeve që zakonisht lidhen përmes Jordanisë”, ka thënë ai.
“Mijëra njerëz që janë të bllokuar në Jordani, nuk kanë burime për të shkuar dhe për të paguar hotelet. Ata nuk mund të qëndrojnë jashtë. Ka nëna që jetojnë me fëmijët e tyre në Bregun Perëndimor që duhet të kthehen”, ka shtuar ai.
Jordania është shtëpia e më shumë se 2 milionë refugjatëve palestinezë të regjistruar, ndërsa më shumë se gjysma e popullsisë së saj prej më shumë se 11 milionë banorësh janë me prejardhje palestineze. Ajo ka ruajtur lidhje sigurie, tregtare dhe diplomatike me Izraelin që nga një traktat paqeje i vitit 1994, por është një kritik i zëshëm i veprimeve të Izraelit ndaj palestinezëve.