Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mbajti fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një moment të veçantë për Shqipërinë që shënon 70-vjetorin e anëtarësimit në OKB.
Kreu i Shtetit nënvizoi se ky përvjetor i Kombeve të Bashkuara është një kujtesë e vizionit për dialog e bashkëpunim mes kombeve dhe një mundësi për t’u angazhuar më fort në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe solidaritetit global.
“Shqipëria promovon aktivisht dialogun, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimin rajonal si e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm. Vizioni ynë është integrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ruajtja e vlerave demokratike. Ne besojmë se e ardhmja e rajonit tonë qëndron te bashkëpunimi, jo konflikti, te përparimi i përbashkët, jo rivaliteti. Në këtë frymë, Shqipëria eshte e gatshme té bashkëpunojë me të gjithë fqinjët për të siguruar që Ballkani Perëndimor të jetë një zonë paqeje, zhvillimi dhe mundësie, që kontribuon aktivisht për Evropën dhe për komunitetin më të gjerë ndërkombëtar.”, theksoi Begaj.
Në fjalën e tij, ai ndaloi tek krizat aktuale botërore, duke ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin e Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus. Njëherësh, Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë që lufta në Gaza duhet të përfundojë, të gjithë pengjet duhet të lirohen dhe situata humanitare duhet të trajtohet me urgjencë.
Në planin rajonal, ai theksoi rolin e Shqipërisë si promotor i dialogut, fqinjësisë së mirë dhe integrimit rajonal, duke theksuar se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet një zonë paqeje dhe zhvillimi.
Presidenti theksoi se Kosova meriton vendin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
“Shteti më i ri në rajonin tonë, Republika e Kosovës, është gjithnjë e më shumë kontribuese në paqe, dialog dhe bashkëjetesë në Ballkanin Perëndimor. 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka treguar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe vlerave demokratike. Me institucione të forta dhe popullsi vitale, kontributi i saj në bashkëpunimin rajonal dhe me gjere është i pamohueshëm. Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë se Kosovës, mbeshtetja per anetaresimin e saj ne Kombet e Bashkuara dhe ne organizatat e tjera nderkombetare eshte nje akt drejtesie ndaj popullit te Kosoves, eshte nje hap qe forcon edhe me shume paqen dhe sigurine ne Ballkanin Perendimor dhe nje kontribut ne stabilitetin e Europës”, deklaroi kreu i shtetit.
Presidenti gjithashtu i kushtoi vëmendje më fjalën e tij kërkesës për respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Ai solli në vëmendje arritjet e Shqipërisë për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, energjinë e pastër, transformimin digjital avancimin e barazisë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve në agjendat zhvillimore të vendit.
“Shqipëria ka treguar se dialogu, partneriteti dhe vlerat e përbashkëta mund të transformojnë shoqëritë. Ne do të vazhdojmë të punojmë që fëmijët tanë të jetojnë në një botë më të sigurt, me dinjitet dhe në paqe,” përfundoi Presidenti Begaj, duke ftuar për unitet, përgjegjësi dhe guxim në përballimin e sfidave globale.