“Mirëmëngjes nga Fushë Topana! Punë dhe përkushtim!” – me këto fjalë Izet Mexhiti, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, publikoi sot video pamje nga lagjja Fushë Topanë, ku tashmë kanë nisur punimet për rekonstruimin e rrugës Metodija Mitevski, ashtu siç u paralajmërua ditë më parë.
Investimet e përgjithshme në lagjen e Fushë Topanës kapin mbi 760 mijë euro dhe përfshijnë disa nga rrugët kryesore të lagjes: Ismail Qemali, Metodija Mitevski, Mehmet Gega, Nikolla Maleshevski dhe Gjorgji Pop Hristov.
Projekti parashikon:
-asfalt të ri dhe trotuare bashkëkohore,
-ndriçim tërësisht të ri,
-hapësira për parkingje dhe zona të gjelbërta,
-zhardinjerë dekorativ dhe lule për një pamje më estetike dhe të pastër të Çairit.
Njëkohësisht, ka nisur edhe rikonstruimi i rrugës “Maksut Sadik”, e cila lidh Çairin me Universitetin “Nënë Tereza”, duke u dhënë lehtësi lëvizjeje studentëve dhe qytetarëve.
“Është e rëndësishme të theksohet se të gjitha këto investime janë të mundësuara me fonde qeveritare gjatë 15 muajve të qeverisjes sonë, sepse nga buxheti vetanak i komunës nuk mund të mbulohen projekte të tilla madhore”, tha Mexhiti.
Mexhiti ditë më parë potencoi se ky është vetëm fillimi i transformimit të Çairit në një komunë me infrastrukturë bashkëkohore dhe se gjatë katër viteve të ardhshme, komuna do të shndërrohet në një hapësirë moderne dhe funksionale për të gjithë banorët.