Në një takim me të rinjtë e Çairit, kandidati për kryetar komune, Bujar Osmani, prezantoi vizionin e tij dhe projektet konkrete që i paralajmëron si pjesë e transformimit të ardhshëm komunal. Larg premtimeve deklarative, fjala e tij ishte e mbushur me mekanizma të saktë, afate dhe zgjidhje sistematike që e pozicionojnë fushatën e tij si ofertën e vetme që sjell njëkohësisht vizion dhe aftësi operative.
Osmani fillimisht u ndal te tema që, sipas tij, më së shumti simbolizon vitet e neglizhencës dhe kaosit në Çair – higjiena publike. Ai paralajmëroi formimin e një ndërmarrjeje krejtësisht të re për higjienë me 120 të punësuar dhe mekanizim të vetin, që do të jetë nën kompetencën e komunës.
Por, derisa kjo të konsolidohet, që nga dita e parë, Osmani tha se planifikon të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për pastrim të përgjithshëm urgjent të territorit të Çairit.
“Në këtë periudhë intervenuese do të përfshihen resurse të jashtme, mekanizim dhe njerëz nga komuna, me qëllim që të përballemk me deponitë, mbeturinat dhe rrugët e lëna pas dore. Kur ta përfundojmë këtë, dhe ndërmarrja e re të fillojë të funksionojë, atëherë Çairi më në fund do të fillojë të duket si komunë e rregulluar”, theksoi Osmani, duke shtuar se kaosi nuk do të tolerohet as edhe një ditë më shumë.
Prioritet tjetër për Osmanin është parkimi, një problem kronik në Çair, i cili, sipas tij, është pasojë e mungesës së plotë të planifikimit urbanistik. Për ta zgjidhur menjëherë, ai planifikon mobilizimin e hapësirave private në Seravë, Gazi Babë dhe zona të tjera kritike, ku nuk ka fjalë për “të hedhur as një gjilpërë”.
“Po bisedoj me njerëz që janë të gatshëm të japin oborret dhe shtëpitë e tyre për hapësira parkimi, ku komuna do të investojë. Pastaj ata do t’i menaxhojnë, por nën kushte qartë të përcaktuara, të drejta dhe transparente”, shpjegoi Osmani.
Në vizionin për “Çair 2040″, ai paralajmëron ndërtimin e deri 2500 vendeve të reja parkimi, me ç’rast, siç tha, do të përfundojë lufta e përditshme për një vend.
Segmenti më ambicioz dhe strategjikisht më i rëndësishëm i fjalimit iu kushtua urbanizmit. Osmani theksoi se pikërisht ndërtimet pa leje dhe kaosi urbanistik janë thelbi i të gjitha problemeve të tjera: nga higjiena, siguria, deri te cilësia e jetës.
“Asnjë gur nuk do të lëvizet pa plan. Nuk do të ketë më ndërtime pa leje, asnjë pëllëmbë tokë nuk do të uzurpohet”, deklaroi ai, duke paralajmëruar ndërprerje të plotë të praktikës së deritanishme të tregtisë politike. Në këtë drejtim, Osmani prezantoi master-planin e ri urbanistik, të punuar bashkë me arkitektin botërisht të njohur Michel Rojkind, me të cilin parashikohet transformimi planor i pjesëve të lëna pas dore të Çairit në njësi moderne banimi dhe komunale.
“Shtëpitë e njerëzve nuk do të mbeten të bllokuara në varfëri dhe pasiguri. Do t’i shndërrojmë në lagje moderne, ndërsa vlera e pronave të tyre do të trefishohet. Ky është zhvillim i vërtetë”, theksoi ai.
Osmani paralajmëroi edhe shtyllën më të rëndësishme të udhëheqjes së tij, luftën kundër mafies urbane dhe klientelizmit.
“Kjo nuk është vetëm premtim. Ky është mekanizëm”, theksoi Osmani, duke prezantuar sistemin “Syri qytetar”, një model transparence të plotë të komunës, ku qytetarët dhe organizatat e pavarura do të kenë qasje dhe mbikëqyrje mbi prokurimet publike, vendimet për urbanizëm dhe të gjitha lejet.
“Unë kurrë nuk kam shtrirë dorën mbi paranë e huaj, as në Qeveri, as si ministër. Dhe pikërisht për këtë kam fytyrë ta premtoj këtë dhe ta realizoj”, tha Osmani, duke pritur që ndershmëria dhe llogaridhënia e dëshmuar të rikthejnë besimin në pushtetin lokal.
Në përmbyllje, Osmani u bëri apel të pranishmëve, para së gjithash të rinjve, që të mendojnë mirë vendimin e tyre para fillimit të fushatës.
“Kjo nuk është vetëm çështje se kush do të jetë kryetar komune, por nëse do të vazhdojmë me të njëjtit njerëz që 20 vite e shkatërruan komunën, apo më në fund do të bëjmë një kthesë. Përgjigjen, mendoj se të gjithë e dini”.