22.8 C
Skopje
Monday, September 22, 2025

Qani Nesimi jep dorëheqje nga posti i Myftiut të Tetovës

Prof. Dr. Qani ef. Nesimi ka njoftuar dorëheqjen nga pozita e Myftiut të Tetovës, pas një mbledhjeje të rregullt të mbajtur më 19 shtator 2025 nga organi vendimmarrës i Myftinisë. Në këtë mbledhje, përveç dy anëtarëve që mungonin, të gjithë anëtarët e tjerë po ashtu kanë dhënë dorëheqje. Vendimi, siç thekson ai, është marrë me vetëdije të plotë dhe në frymë të përgjegjësisë për ruajtjen e unitetit dhe harmonisë në mesin e besimtarëve dhe komunitetit islam në RMV, njofton TV21.

Në një deklaratë të gjatë, Prof. Dr. Nesimi thekson se përgjatë mandatit të tij ka punuar me përkushtim maksimal dhe ndershmëri, pa tradhtuar askënd dhe pa llogaritur lodhjen apo pasojat. Ai falënderon të gjithë bashkëpunëtorët e sinqertë, institucionet arsimore dhe fetare, si dhe ambasadat që kanë dhënë mbështetje gjatë kohës së shërbimit të tij.

Më poshtë mund të lexoni të plotë njoftimin e tij personal:

Tërheqja ime nga Myftinia e Tetovës

Në mbledhjen e rregullt të Myftinisë së Tetovës – organit legjitim, të zgjedhur dhe vendimmarrës të Myftinisë, të mbajtur më 19 shtator 2025, vendosa të tërhiqem nga Myftinia e Tetovës. Në këtë mbledhje me plotë vetëdije dhe me ndjenjën e përgjegjësisë së lartë, u tërhoqën edhe anëtarët e Myftinisë, përveç dy anëtarëve që nuk ishin prezent, të cilët kishin kohë që nuk vinin më në mbledhje të Myftinisë.

Po tërhiqem nga detyra me shumë përgjegjësi, Myfti i Tetovës, të cilën përgjegjësi e kam pranuar me nderë, jam munduar maksimalisht ta barti me nderë dhe po e lë me plotë nderë. Për këtë jam shumë krenar.
Tërhiqem vetëm se, shpirtërisht, idealisht dhe qenësisht dua që të ruhet uniteti, respekti i ndërsjellë dhe harmonia midis besimtarëve dhe hoxhallarëve në përgjithësi, dhe i institucionit të vetëm shpirtëror të muslimanëve në RMV, gjegjësisht i BFI-së, në veçanti.

Në detyrën time askënd nuk e kam tradhtuar, nuk e kam gënjyer dhe nuk e kam mashtruar. Asnjëherë nuk e kam bërë hesap kohën dhe lodhjen time bashkë me bashkëpunëtorët e mi. Secilit koleg, qoftë i punësuar në Myftini, në Xhami, në Medrese apo në Fakultet, në Rijaset apo në ndonjë myftini tjetër, i kam dal zot deri në pikën e fundit, pa i llogaritur pasojat. Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk e kam neglizhuar apo keqpërdorur në asnjë moment detyrën time. Asnjëherë nuk kam menduar për pasojat që mund të kem në realizimin e punëve, kthimin e vakëfeve, realizimin e investimeve të ndryshme etj., që kanë qenë kompetencë dhe obligimi im, edhe pse shumë herë kam qenë edhe i kërcënuar.

Falënderoj të gjithë shokët e mi të sinqertë për kolegialitetin, korrektësinë dhe besnikërinë që kanë treguar. Në mënyrë të veçantë falënderoj udhëheqësit e Universitetit të Tetovës.
Kërkoj hallallëk nga të gjithë bashkëpunëtorët e sinqertë në BFI, Myftini, Medrese, Xhami, Mekteb si dhe nga të gjitha institucionet e tjera edukativo-arsimore dhe administrative në qytetin tonë.
Falënderoj Ambasadat si atë të Shqipërisë, Kosovës, ShBA, Turqisë dhe OSBE, për interesimin dhe mbështetjen e dhënë në procesin e ruajtjes së të drejtës dhe të kushtetutshmërisë në BFI.

Falënderoj nga zemra Allahun Fuqiplotë për çdo të mirë e mundësi që më ka dhënë, e sidomos për atë që më mundësoi të jem Myfti i Tetovës, si dhe ma mundësoi që bashkë me kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi t’i bëjmë të gjitha këto punë që i kemi bërë dhe që janë nderë për ne.
Tërhiqem me mbështetje të plotë në Allahun Fuqiplotë!
Allahu Fuqiplotë qoftë i kënaqur me qëllimet, punët dhe jetën tonë!

Me shumë respekt e dashuri,
Myftiu juaj,
Prof. Dr. Qani ef. Nesimi

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit