22.8 C
Skopje
Monday, September 22, 2025

Izet Mexhiti nga Shutka: Ahmeti nuk e ka të lehtë të bëjë bashkë Taravarin dhe Selen

Izet Mexhiti deklaroi se koalicioni VLEN përfaqëson vlera të rëndësishme politike dhe shoqërore, dhe se në përbërjen e tij ka figura me autoritet.

“VLEN-i ka shumë vlera dhe shumë oratorë. Enisi, për shembull, vjen nga një familje e njohur nga Çarshia e Vjetër dhe ka autoritet më shumë se shumë të rinj të tjerë, edhe pa pasur një petk partiak. Kjo tregon se po zgjerohemi me gjeneratën e re,” u shpreh Mexhiti.

Ai theksoi se ndryshe nga koalicioni VLEN, tek Fronti Europian (AKI) nuk ka bashkim të vërtetë mes liderëve.

“Te ata nuk i sheh liderët bashkë, sepse nuk janë bashkë. I ka bërë zori të bashkohen. Ahmeti nuk e ka të lehtë të bëjë bashkë edhe Taravarin, edhe Selen.”

Sipas Mexhitit, fitoret e VLEN-it po i trembin rivalët politikë, të cilët, sipas tij, nuk po përpiqen të kthehen në qeveri për të ndihmuar qytetarët, por vetëm për të shpëtuar politikisht.

Mexhiti theksoi rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit dhe decentralizimit.

“Qeveria ka punuar dhe po punon për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton fuqizimin e komunave. Gjetëm një centralizim të skajshëm, ku vetëm 4% e të ardhurave nga tatimet shkojnë për komunat.”

“Prandaj i kemi ndarë mjetet për çdo komunë, që të realizojnë projekte në dobi të qytetarëve.”

Nga ana e tij, Zeqirja Ibraimi njoftoi se qeveria ka ndarë mbi 3 milionë euro për projekte lokale, përfshirë edhe komunën e Shutkës, e cila për një kohë të gjatë ka qenë e neglizhuar.

“Asnjë qeveri më parë nuk e ka parë të udhës të zgjidhë hallet e njerëzve në Shutkë. Mendoj se ka ardhur koha që qytetarët e Shutkës ta vlerësojnë këtë qasje dhe të mbështesin listën e VLEN-it, përfshirë edhe në qytetin e Shkupit.”

Sipas tij, kjo është me rëndësi të veçantë, pasi ndërmarrjet që veprojnë në qytetin e Shkupit ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

Arben Fetai deklaroi se gjatë qeverisjes me koalicionin VLEN janë investuar gjithsej 82 milionë euro në komunat me shumicë shqiptare, që përbëjnë më shumë se një të tretën e investimeve në nivel shtetëror. Ai theksoi se ky është vetëm fillimi dhe se synimi është që gjatë mandatit të realizohen investime deri në 1 miliard euro. Fetai shtoi se janë realizuar rreth 2000 punësime në sektorin publik dhe qindra avancime në pozita, gjithmonë duke respektuar parimin e meritokracisë.

Duke reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesve të BDI-së, ai akuzoi Bujarin dhe bashkëpartiakët e tij për përhapje të gënjeshtrave, duke pretenduar në mënyrë të pasaktë se VLEN është pjesë e qeverisë vetëm për një muaj, pastaj tre, e më pas gjashtë. Sipas Fetait, këto janë vetëm manipulime politike. Ai u shpreh i bindur se fitorja e Izet Mexhitit, Bashkimit dhe kandidatëve të tjerë të VLEN-it në zgjedhjet lokale do të reflektohet gjerësisht dhe se koalicioni po sjell një qasje të re, me qytetarin në qendër.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit