Deputetja e koalicionit VLEN, Mimoza Musa, ka marrë pjesë në Takimin e Rrjetit të Parlamentarëve të Rinj të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i cili u zhvillua nga 17 deri më 19 shtator 2025 në Nikozia dhe Ayia Napa, Qipro, përcjell Zëri.mk
“Si deputete e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pata kënaqësinë të marr pjesë në Takimin e Rrjetit të Parlamentarëve të Rinj të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i cili u zhvillua nga 17 deri më 19 shtator 2025 në Nikozia dhe Ayia Napa, Qipro.
Së bashku me kolegët e mi, znj. Monika Zajkova (shefe e delegacionit) dhe z. Boban Karapejovski, përfaqësuam vendin tonë në këtë ngjarje të rëndësishme ndërparlamentare.
Takimi përfshiu dy sesione pune me temat:
“10 vjet nga Rezoluta 2250 e OKB-së për rininë, paqen dhe sigurinë”
“Strehimi i përballueshëm për të rinjtë në rajonin e OSBE-së”
Në sesionin e dytë, pata nderin të mbaj fjalim ku theksova sfidat që hasin të rinjtë në rajonin tonë për sa i përket strehimit, si dhe ndikimin negativ që kanë kostot e larta të banimit në pavarësinë dhe zhvillimin e tyre social. Prezantova përvojën e Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e banesave sociale në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe nënvizova rëndësinë e mbështetjes nga fondet evropiane për vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Gjatë qëndrimit në Qipro, zhvilluam gjithashtu takime të frytshme me kryetaren e Parlamentit të Qipros, znj. Anita Demetriou, si dhe me përfaqësues të vetëqeverisjes lokale në disa qytete.
Ky takim shërbeu si një platformë e vlefshme për të shkëmbyer përvoja, ide dhe praktika të mira me parlamentarë të rinj nga vende të ndryshme të OSBE-së. Ishte një mundësi për të përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të theksuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që të rinjtë luajnë në politikë dhe në ndërtimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, ka përfunduar njoftimin deputetja Musa./Zëri.mk/