24.8 C
Skopje
Tuesday, September 23, 2025

KF Shkupi rikthehet në stadiumin e Çairit, hyrja falas për të gjithë tifozët

Pas gjashtë javësh zhvillimi të ndeshjeve jashtë terrenit të vet, KF Shkupi nesër (e shtunë) do të rikthehet në stadiumin e Çairit për të luajtur si vendas, në përballjen kundër Makedonija Gjorçe Petrovit që nis në orën 15:30. Klubi ka vendosur që hyrja në këtë ndeshje të jetë falas për të gjithë tifozët.

Rikthimi ndodh pasi stadiumi i Çairit më herët nuk kishte përmbushur kriteret për organizimin e ndeshjeve të Ligës së Parë, sipas vlerësimit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Tani, KF Shkupi njofton se përballja e radhës do të zhvillohet në prani të tifozëve dhe me sistemin VAR aktiv.

Tifozët e Shkupi, grupi “Shvercerat”, përmes një thirrjeje publike kanë bërë apel për përkrahje masive, duke e cilësuar këtë si momentin e duhur për mobilizim dhe rikthim të fuqishëm në shtëpi. Ata kanë paralajmëruar edhe një takim pas ndeshjes për të diskutuar zgjerimin e strukturës drejtuese të grupit.

Ndeshja Shkupi – Makedonija GJP zhvillohet në kuadër të javës së shtatë të sezonit 2025/26 të Ligës së Parë. Po në këtë javë, të dielën do të luhen dy ndeshje të tjera: Shkëndija përballet me Tikveshin, dhe Vardari me Rabotniçkin. Të hënën janë në program tre ndeshje: Akademia – Arsimi, Sileksi – Struga dhe Pelisteri – Bashkimi.

Kujtojmë që Shkëndija e Tetovës është kampione në fuqi nga sezoni 2024/25, ndërsa Vardari është fitues i Kupës. Në këtë sezon të ri, në Ligën e Parë marrin pjesë Shkëndija, Struga, Shkupi, Bashkimi dhe Arsimi, ky i fundit debutues në elitë pasi u ngjit nga Liga e Dytë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit