Në disa raste pacientët e kanë braktisur mjekimin për shkak të informacionit që ka gjeneruar Inteligjenca Artificiale…
Përdorimi i ChatGPT në vend të një konsulte me psikologun apo psikiatrin nga individët që kanë probleme shëndetin mendor po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.Fenomeni pranohet nga mjekët psikiatër të qendrave komunitare të shëndetit mendor, të cilët na tregojnë avantazhet dhe disavantazhet e tij.
Nëse një person që është me ankth, që pyet se aktualisht vuan nga ankthi dhe çfarë nuk duhet të përdorë, Inteligjenca Artificiale i rreshton një sërë faktorësh të cilët dëmtojnë shëndetin mendor dhe mund të shkaktojnë problematika të ankthit. Kjo është një gjë e mirë. Por, ndërkohë, kur ata kërkojnë ndihmë për t’u mjekuar, këtu është problemi më i madh. Nuk mundet të caktojë dot dozat Inteligjenca Artificiale. Nuk mund t’i përshtasë sipas shkallës së rëndesës së sëmundjes, sipas peshës trupore që ka një person apo dëmtimit psikologjik që i ka dhënë kjo sëmundje,” thotë Valentina Asabella, psikiatre e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor nr. 3.
Një studim i revistës “Harvard Business Review” tregon se shkaku pse njerëzit me çrregullime të ankthit dhe humorit kërkojnë më shumë mbështetje terapeutike nga Inteligjenca Artificiale është rezultat i shpejtësisë së këshillave, mungesës së gjykimit dhe ruajtjes së privatësisë.
Në disa raste pacientët e kanë braktisur mjekimin për shkak të informacionit që ka gjeneruar Inteligjenca Artificiale mbi varësinë e medikamenteve të shëndetit mendor. Kjo e ka futur gjendjen e tyre shëndetësore në një rrugë pa kthim dhe me rreziqe të forta.





