Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Komunës së Strugës për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit, sipas nenit 353, paragrafi 4, në lidhje me nenin 1 të Kodit Penal, njoftoi sot Prokuroria.
Sipas aktakuzës, kryetari – i identifikuar si Ramiz Merko – gjatë periudhës nga 1 prilli 2021 deri më 27 qershor 2022, ka lidhur kontrata për ndriçimin e shtratit të lumit Drini i Zi pa marrë pëlqimin e nevojshëm nga Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor. Punimet për ndriçim janë kryer në një gjatësi prej 900 metrash, në të dy anët e lumit, përmes vendosjes së 300 shtyllave ndriçuese, me një kosto prej 6.7 milionë denarësh.
Sipas Prokurorisë, mungesa e pëlqimit ligjor ka rezultuar në dëmtim të sistemit hidrobiologjik të lumit, duke tejkaluar kompetencat e kryetarit dhe shkelur rregullat për menaxhimin e ujërave.
Kjo nuk është e vetmja çështje që përfshin Merkon. Më 7 tetor, pritet të shpallet vendimi gjyqësor ndaj tij dhe disa bashkëpunëtorëve të tij lidhur me dyshime për shkelje ligjore në emërimin e drejtorëve të shkollave fillore “Vëllezërit Milladinovi” në Strugë dhe “Zini Hani” në Veleshtë. Në këtë të fundit, Merko është një nga katër të pandehurit.
Ndërkohë, në qershor të këtij viti, Gjykata Themelore e Strugës i shqiptoi Merkos një gjobë prej 10,000 eurosh për veprën penale të pakujdesisë në shërbim, lidhur me parregullsitë në emërimin e drejtorëve të përkohshëm në shkollat fillore në fshatrat Labunishtë, Radolishtë dhe Podgorcë. Prokuroria ka ankimuar vendimin e gjykatësit Jordan Jovanov lidhur me këtë rast.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Merko u lirua nga akuzat në fillim të qershorit në një tjetër proces gjyqësor që kishte të bënte me blerjen e një automjeti Audi në vlerë prej 67,000 eurosh, ku ishte akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Rastet ndaj Merkos janë pjesë e një sërë procedurash gjyqësore që kanë vënë në qendër të vëmendjes përdorimin e pushtetit lokal dhe respektimin e ligjit në menaxhimin e resurseve publike.