19.8 C
Skopje
Wednesday, September 17, 2025

Sotir Lukrovski në Ditën e Pacientëve: Prioritet infrastruktura shëndetësore në Karposh

Sotir Lukrovski, kandidati i VMRO-DPMNE-së për Komunën e Karposhit, mori pjesë sot në një panel të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Pacientëve. Në këtë ngjarje, e cila kishte në qendër kujdesin për të porsalindurit si tematika kryesore për vitin 2025, Lukrovski theksoi rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore dhe angazhimin e tij për të kontribuar në këtë drejtim si kryetar i ardhshëm i komunës.

“Është një nder për mua të jem pjesë e kësaj iniciative të sektorit joqeveritar dhe të kontribuoj si panelist në një ditë kaq të rëndësishme. Si përfaqësues i komunitetit të biznesit dhe me përvojë 27-vjeçare në industrinë farmaceutike, sot dua të flas për pacientët, për parandalimin dhe për kushtet që mund të krijojmë për një shëndet më të mirë”, u shpreh Lukrovski gjatë fjalës së tij.

Duke nënvizuar se prioriteti i tij kryesor do të jetë infrastruktura në shëndetësi, ai përmendi disa nga institucionet ekzistuese që veprojnë në territorin e Karposhit: “Kemi disa institucione të rëndësishme të shëndetit publik – si Spitali ‘8 Shtatori’, që shpresoj së shpejti të bëhet spital universitar, Poliklinika Bukuresht me shërbime të shëndetit publik, ndihma e shpejtë, Spitali i Fëmijëve në Kozle dhe ai special në Bardovc. Veçoj edhe praninë e dy spitaleve private me rëndësi rajonale – Acibadem Sistina dhe Zhan Mitrev.”

Lukrovski theksoi nevojën që Komuna e Karposhit të ofrojë kushte sa më të mira për funksionimin e këtyre institucioneve – përmes përmirësimit të administratës, aksesit dhe mbështetjes së infrastrukturës.

Ai shtoi se një nga sfidat kryesore mbetet gjendja e dispanserëve dhe qendrave të vogla shëndetësore, të cilat, sipas tij, janë trashëguar nga dekada më parë dhe nuk i plotësojnë më nevojat e qytetarëve: “Si kryetar i ardhshëm i Komunës do të angazhohem që këto qendra të kenë kushte më të denja dhe të mund të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët e Karposhit.”

Ngjarja u organizua nga organizata të sektorit civil dhe mblodhi përfaqësues nga fusha të ndryshme të shëndetësisë, me qëllim ndërgjegjësimin për të drejtat dhe nevojat e pacientëve në sistemin shëndetësor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit