30.8 C
Skopje
Tuesday, September 16, 2025

E akuzuar për spiunazh, nis në Prishtinë gjykimi i punonjëses serbe të OSBE-së

E akuzuara serbe për spiunazh, Jellena Gjukanoviq, deklaroi para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë se nuk e pranon fajin që i ngarkohet.

Gjykimi ndaj saj nisi më 16 shtator, ndërsa seanca fillestare zgjati më pak se një orë.

Mbrojtja e Gjukanoviqit kërkoi 30 ditë afat për mbledhjen e provave shtesë, por trupi gjykues, i udhëhequr nga Rrahman Beqiri, vendosi se 15 ditë janë të mjaftueshme.

“Brenda këtij afati do të kërkojmë hedhjen poshtë të aktakuzës dhe do të paraqesim prova kundërshtuese. Pastaj, do të shohim vendimin e gjykatësit”, tha avokati i Gjukanoviqit, Predrag Millkoviq, pas seancës.

Mbrojtja kërkoi gjithashtu që paraburgimi t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak – kërkesë kjo që u kundërshtua nga prokurori Bekim Kodraliu.

Millkoviq tha shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të ofrojnë edhe dorëzani prej 15.000 eurosh.

Gjukanoviq, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.

Gjatë leximit të aktakuzës, Kodraliu tha se Gjukanoviq, me informacionet e transmetuara tek Agjencia serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka vënë në rrezik rendin kushtetues dhe sigurinë institucionale të Kosovës.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe, në rast të konfirmimit të fajësisë, dënohet me minimum pesë vjet burg.

Muajin e kaluar, edhe një serbe tjetër e Kosovës dhe partneri i saj kroat janë arrestuar në Kroaci, nën dyshimet për spiunazh.

Sipas raportimeve, kroati, i cili ka shërbyer në misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij nga Kosova, të cilat ajo ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Gjatë muajve të fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar disa persona, serbë dhe shqiptarë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.

Ekspertët vlerësojnë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit