Një tubim paqësor do të mbahet nesër (16 shtator) në ora 20:16 në sheshin “Maqedonia” të Shkupit, për të përkujtuar gjashtë muaj nga tragjedia e zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona dhe mbi 200 u plagosën.
Tubimi është organizuar nga aktivistët e iniciativës “Kush e ka radhën?” dhe të rinjtë e Lëvizjes së Plenumit Studentor, të cilët në rrjetet sociale kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe të qetë.
“Nuk ishte aksident, as tragjedi. Ishte një masakër – pasojë e institucioneve jofunksionale dhe korrupsionit. Lufta për të vërtetën nuk ndalet”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ky është tubimi i radhës pas protestave të marsit dhe aksioneve simbolike që janë mbajtur çdo muaj nga aktivistët. Ata kanë qenë të pranishëm edhe në “Marshimin e Engjëjve” që zhvillohet çdo të shtunë në Koçan, ku familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ende nuk ka përparuar. Edhe pse aktakuza ndaj 34 të pandehurve dhe tre kompanive u ngrit më 13 qershor, Gjykata Penale në Shkup ende nuk ka dhënë vendim për vlerësimin e saj, për shkak të numrit të madh të kundërshtimeve nga mbrojtja.
Zjarri ndodhi natën e 15-16 marsit në diskotekën “Pulse”, duke shkaktuar një nga tragjeditë më të rënda në vend. Përgjegjësia ligjore dhe institucionale mbetet ende e paqartë.