26.8 C
Skopje
Monday, September 15, 2025

Rubin: Thaçi kishte rol politik në UÇK, nuk diktonte rregulla dhe kushte

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit, James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Ai ka treguar se si Hashim Thaçi fillimisht e refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes gjatë Konferencës së Rambujesë. Gjatë dëshmisë së tij, Rubin tha se Thaçi kishte një rol politik në UÇK por jo një rol udhëheqës dhe se “nuk diktonte rregulla dhe kushte”.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes i cili po dëgjohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Aktualisht po merret në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Misetiç.

James Rubin para Dhomave të Specializuara në Hagë, tregoi se si Thaçi nuk kishte nënshkruar marrëveshjen sepse ishte “nën presionin e komandantëve të UÇK-së”.

Misetiç: A ju tha Thaçi se ishte nën presionin e komandantëve të UÇK-së?

Misetiç: A ju tha zotëri Thaçi se nuk mund ta firmoste, nënshkruante marrëveshjen sepse ishte nën presion e komandantëve të UÇK-së dhe financuesve nga Evropa, sepse do ta konsideronin tradhtar nëse do ta nënshkruante?

Rubin: Po”, tha ai.

Dëshmitari i mbrojtjes, James Rubin tha se Hashim Thaçi nuk mund të pranonte marrëveshjen, pa qenë e përfshirë pavarësia në dokument.

“Ai na tha [Hashim Thaçi] që nuk mund të na thoshte ne po, pa pasur një deklaratë specifike për pavarësinë, sepse ai duhet të diskutonte me komandantët e UÇK-së. Personat që kërkonin pavarësinë e Kosovës ishin maksimalisht, i donin të gjitha, donin çdogjë të mundshme. Sigurisht që diplomacia nuk mund të jetë gjithmonë perfekte. Ne përpiqeshim të gjenim një mes të artë që mos t’i thonim as jo, as po pavarësisë në atë dokument, kështu që ne thamë mund të shprehni vullnetin e popullit pa e bërë të qartë dhe pa e thënë specifikisht fjalën pavarësi, ai na tha po nuk përdora fjalën pavarësi, atëherë mua do të më konsiderojnë si person që ka hequr dorë nga pavarësia e vendit. Pra, ishte moment shumë i vështirë dhe ai na shpjegoi se nuk ishte përgjegjës për këto, ai ishte thjesht personi që po komunikonte me ne. Sepse kishte një rol politik në UÇK por jo një rol udhëheqës. Nuk kishte kompetenca, nuk kishte autoritet, ai ishte thjesht pasqyrim i një lëvizjeje dhe shumë persona në atë lëvizje donin pavarësi tani, ose më së paku të shprehin në dokument, të konfirmohej në dokument se do të realizohet pavarësia. Ideja ishte si t’i kënaqim të gjithë dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë ishte që një dokument të vagullt sa i takon pavarësisë, ai këtë nuk mund ta pranonte se atij i kishin thënë që nëse e bën këtë, siç e tha edhe me fjalë të veta, do të ishte një tradhtar ”, tregoi Rubin para trupit gjykues.

Rubin tha se ishte moment i vështirë dhe se gjatë komunikimeve me Thaçin kishte kuptuar se “ishte mjedis me shumë presion”.

“Ka qenë një mjedis me shumë presion. Kjo ka qenë situata më e vështirë që më kujtohet mua, sepse fati i një milion personave ishte në fjalë. Nëse lëvizja kosovare do të përqafonte perëndimin, perëndimi do të ishte pro tyre. Përndryshe do të kishte masakër, ne kishim parashikuar masakër ku do të vdisnin me qindra mijëra persona. Dhe kjo krijon një situatë shumë të tensionuar. Përshtypja ime aso kohe ishte që ai [Hashim Thaçi] ishte një person që ishte caktuar që të komunikonte me të. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet, as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë. Por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra dikur e fshehur, ajo zyra e udhëheqjes shqiptare që po merrnin vendime në grup, që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, kështu që ai duhet ta merrte lejen prej tyre. Ai nuk kishte në gjendje diktonte rregulla dhe kushte”, shtoi ai.

Derisa foli për takimin e parë në vitin 1999 me Hashim Thaçin, James Rubin tha se ai e kishte njohur atë nga televizori.

Misetiç: Si keni ndërvepruar me zotëri Thaçi gjatë kohës së Rambujesë?

Rubin: Më kujtohet takimi i parë që ju sapo përmendet që kishte regjistruar në kabllogram dhe më kujtohet që ai më njohu menjëherë përmes televizionit, sepse unë isha edhe zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe isha shpesh në televizor, kryesisht për ata që ishin të interesuar për atë që ndodhte në ish-Jugosllavi, por ai më njohu. Kur dikush të njihte, ata lëvizën shprehën fizikisht, shtrëngojnë dorën apo japin shenja fizike. Dhe zonja Albright e vërejti këtë gjë që ai bëri kështu, që më njohi. Ajo ishte shumë e zonja për marrëdhëniet njerëzore dhe më tha menjëherë ‘James bisedo me të, njihu më të’, sepse unë se njihja, askush nuk e njihte në fakt në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, të paktën unë nuk e njihja”, u shpreh ai, duke shtuar se donin të dinin më shumë se kush ishte udhëheqës i delegacionit.

Gjatë atyre dy javëve, Rubin tha se kaloi shumë kohë me Thaçin, ashtu edhe siç tha se e kishte udhëzuar sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.

“Madeleine Albgriht se ishte e dobishme dhe unë i njihja pikëpamjet e saj, i njihja pikëpamjet e saj më mirë se askush tjetër, edhe sot është e njëjta gjë. Dhe ajo donte që unë ta njihja atë, që të bëhesha koleg, mik, shok, diplomat dhe kjo është arsyeja pse kaluam kaq shumë kohë me atë atje”, përfundoi ai.
Për dëshminë e James Rubin janë paraparë katër orë nga mbrojtja, katër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe tri orë e gjysmë nga të tjerët.

James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë.

Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit