26.8 C
Skopje
Friday, September 12, 2025

Luisa Residi për ORA 24.TV: Në këtë vend nuk na mungon rinia, na mungon dëgjimi i saj!

 Studentja që po sfidon stereotipet dhe po ringjall shpresën përmes ekonomisë, aktivizmit dhe dijes.

Në një kohë kur të rinjtë shpesh përballen me mungesë të mundësive dhe skepticizëm për të ardhmen, Luisa Rusidi, studente në vitin e katërt të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore, sjell një frymë të re shprese, motivimi dhe angazhimi. Me rrënjë të thella në vlerat familjare, një pasion të pakushtëzuar për dijen dhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie shoqërore, ajo është shndërruar në një shembull frymëzimi për brezin e saj. Për “Ora 24.TV”, Luisa ndan rrugëtimin e saj nga arkëtarja e klasës në fillore, deri tek aktivizmi qytetar dhe pjesëmarrja në projekte me ndikim real në komunitet.

Gazetarja: Luisa, si ka nisur lidhja jote me ekonominë? Çfarë të ka frymëzuar drejt kësaj fushe?

Luisa Rusidi:
Lidhja ime me ekonominë nisi shumë herët – që në fëmijëri. Mësova për kursimet nga prindërit, menaxhimin e parave dhe që atëherë nisi edhe dëshira për të kuptuar më shumë. Në fillore isha shumë e ngulmuar të bëhesha arkëtare e klasës – një hap i vogël, por për mua një nisje simbolike. Më pas, në gjimnaz, kuptova që ekonomia nuk është vetëm përpara – ajo është thelbi i çdo vendimmarrjeje, në familje, në institucione, në shtet. Kjo më bëri të kuptoj që nëse dua të bëj ndryshim, ekonomia është mjeti më i fuqishëm që mund të përdor.

Gazetarja: Tani je në vitin e katërt në Fakultetin e Ekonomisë në SEEU. Si ka qenë kjo eksperiencë për ty?

Luisa Rusidi: Ka qenë një rrugëtim me shumë sfida, por po aq edhe me shumë fitime personale dhe profesionale. Në SEEU kam pasur mundësinë të jem pjesë e praktikave të ndryshme në institucione si AlpakEko, Stopanska Banka, Eurothink, por edhe të jem e angazhuar në moderime publike që më kanë ndihmuar shumë në të folurin dhe prezantimin tim. Për më tepër, mbështetja që kam marrë nga profesorët dhe mentorët ka qenë thelbësore.

Gazetarja: Çfarë e bën një studente të suksesshme sipas teje?

Luisa Rusidi:
Nuk mjafton vetëm menaxhimi i kohës – duhet vullnet, motivim dhe vizion i qartë. Nuk studiojmë vetëm për nota, por për të kuptuar thelbin e çështjeve. Unë gjithmonë kam dashur të lexoj më shumë se sa kërkohej, të kuptoj më thellë. Mendoj që çdo student duhet të pyesë veten “pse” po e bën këtë gjë, dhe të krahasojë teorinë me praktikën. Nuk duhet të kursejmë kohën për lexim dhe zhvillim personal – është investimi më i madh që mund t’i bëjmë vetes.

Gazetari: Përveç ekonomisë, duket se ke interesa të gjera. Ku tjetër gjen frymëzim?

Luisa Rusidi:
Unë nuk jam vetëm ekonomi. Më frymëzon arti, politika, letërsia, filozofia… Në çdo fushë që angazhohem, e bëj me zemër. Besoj që një pasqyrë e thellë mbi ekonominë vjen vetëm kur kupton edhe realitetet tjera që ndikojnë në të. Dhe kjo më ndihmon të jem më e ndjeshme ndaj problemeve shoqërore, ekonomike e kulturore.

Gazetarja: Je përfshirë në shumë organizata dhe iniciativa. A ka ndonjë projekt që ka lënë gjurmë të veçantë tek ti?

Luisa Rusidi: Patjetër. Projekti “Count Me In” me organizatën SEOS ka qenë një ndër më të veçantët për mua. Aty e kuptova fuqinë që ka ndihma dhe bashkëpunimi me të tjerët. Gjithashtu, ky projekt më bëri të kuptoj se ligjërimi dhe puna me të rinjtë është një fushë që më përmbush jashtëzakonisht shumë.

Gazetari: Si ka ndikuar përvoja jote praktike dhe mentorimi në rrugëtimin tënd?

Luisa Rusidi:
Ka pasur ndikim shumë të madh. Kam marrë pjesë në shumë gara, kurse, trajnime dhe punë praktike. Kam pasur fatin të jem pjesë e AlpakEko, SEOS, Stopanska Banka, Eurothink dhe shumë të tjera. Këto eksperienca më kanë rritur profesionalisht dhe më kanë forcuar në të folurit publik. Po ashtu, nga profesorët, PR office, aktivistë, kam marrë shumë kurajë për të nisur angazhime të reja. Si anëtare e re e organizatës HUTA, kam njohur më mirë qytetin tim dhe historinë e tij, gjë që më ka afruar më shumë me komunitetin.

Gazetarja: Sa rol ka luajtur familja në mbështetjen tënde?

Luisa Rusidi:
Një rol kyç. Kam pasur gjithmonë motivim dhe mbështetje nga familja. Prindërit e mi janë udhërrëfyesit e mi – forca ime. Vëllezërit më japin përmes dashurisë së tyre një motivim të pastër. Gjithçka që bëj, e bëj për të dëshmuar që përkrahja e duhur të jep fuqi për të marrë vendimet e drejta.
Por dua të them edhe për ata që nuk e kanë këtë përkrahje: Mësimi është një urdhër profetik. Çdo hap drejt dijes është i shenjtë dhe duhet ndjekur me përkushtim, pavarësisht vështirësive.

Gazetarja: Si e sheh rolin e të rinjve në shoqërinë tonë sot?

Luisa Rusidi:
Fatkeqësisht, shumë të rinj janë të zhgënjyer dhe nuk ndihen pjesë aktive. Kanë parë se modelet pozitive ose politizohen, ose largohen. Idetë e tyre shpesh nuk merren seriozisht dhe rrallë mbështeten sinqerisht. Çdo nismë kalon nëpër aq shumë filtra, sa e humb vlerën.
Por, kjo duhet të ndryshojë. Të rinjtë duhet të dëgjohen, jo të manipulohen. Duhet të ndihen të dashur dhe të inkurajuar, që të mos ndihen të detyruar të ikin nga vendi.

Gazetarja: Cili është mesazhi yt për të rinjtë që duan të jenë aktivë, por ndihen të lodhur ose të shpërfillur?

Luisa Rusidi:
Mos u dorëzoni. Përkrahni idetë e mira të njëri-tjetrit. Bëni vepra të mira, edhe nëse askush nuk i sheh. Përmirësoni veten vazhdimisht dhe merrni pjesë në çdo mundësi që ju jepet. Rrjetëzimi është çelësi – i jep më shumë vlerë diturisë tuaj. Dhe, më e rëndësishmja: dëgjoni këshillat nga njerëz të mirë dhe me përvojë. Sepse, ndonjëherë, një këshillë e vetme mund t’ju ndriçojë gjithë rrugën.

Rruga e Luisës është rrugëtim i një mendjeje të hapur, një zemre të përkushtuar dhe një vullneti që nuk ndalet përballë sfidave. Ajo është një dëshmi se ndryshimi nuk ka nevojë për tituj të mëdhenj, por për njerëz me vizion dhe guxim.
Në një kohë kur të rinjtë shpesh ndihen të harruar, Luisa Rusidi është zëri që na kujton: ndryshimi fillon nga ne vetë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit