30.8 C
Skopje
Friday, September 12, 2025

Rusia dhe Bjellorusia nisin stërvitje ushtarake të përbashkëta, alarmohet Perëndimi

Rusia dhe Bjellorusia nisën të premten një stërvitje ushtarake të përbashkët që ishte planifikuar prej kohësh. Në këtë stërvitje marrin pjesë mijëra trupa dhe ajo ka shkaktuar shqetësime në vendet perëndimore, raporton Associated Press.

Stërvitja quhet “Zapad 2025” ose “Perëndimi 2025” dhe zhvillohet në territorin e Bjellorusisë dhe Rusisë. Ajo do të zgjasë deri të martën. Qëllimi është të tregohet bashkëpunimi i ngushtë ushtarak mes Moskës dhe Minskut, si dhe fuqia ushtarake e Rusisë, ndërkohë që ajo vazhdon luftën që ka nisur para 3 vjetësh e gjysmë në Ukrainë.

Këto manovra ushtarake po mbahen pasi të mërkurën disa dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë.

Kjo ngjarje ka shtuar frikën se lufta në Ukrainë mund të zgjerohet edhe në vende të tjera. Ushtria ruse ka njoftuar se nuk kishte në shënjestër Poloninë, dhe Bjellorusia pretendon se dronët kishin humbur rrugën, por udhëheqësit evropianë e quajtën këtë një provokim të qëllimshëm. Kjo ka detyruar aleatët e NATO-s të mendojnë për një kërcënim të mundshëm ndaj hapësirës së tyre ajrore.
Stërvitjet mes Rusisë dhe Bjellorusisë kanë shqetësuar edhe Ukrainën dhe disa vende të tjera fqinje si Letonia, Lituania dhe Polonia, të cilat kufizohen me Bjellorusinë.

Fillimisht, zyrtarët e mbrojtjes në Bjellorusi thanë se do të merrnin pjesë rreth 13.000 ushtarë në këtë stërvitje, pranë kufirit perëndimor të vendit. Por në maj, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se numri do të përgjysmohej dhe pjesa kryesore e stërvitjes do të zhvillohej më thellë në brendësi të vendit.

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se disa pjesë të stërvitjes do të zhvillohen edhe në territorin rus, si dhe në detin Baltik dhe në detin Barents.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit