30.8 C
Skopje
Friday, September 12, 2025

Prof. Ajten Hajdari-Qamili për Ora24.tv: ”Letërsia ka humbur shkëlqimin – të rinjtë ndjekin rrjetet, jo librat”

Në një kohë kur teknologjia, mediat sociale dhe karrierat “fitimprurëse” po diktojnë zgjedhjet e të rinjve, drejtimet humanistike po përballen me sfida serioze.

Në këtë kontekst, ne biseduam me Prof. dr. Ajten Hajdari-Qamili, pedagoge në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, për të kuptuar pse letërsia po humb vlerën, çfarë ndikon te të rinjtë dhe si mund të rikthehet interesi për këtë fushë.

Për Ora24.tv, Prof. Hajdari-Qamili theksoi se letërsia po humb vëmendjen e brezit të ri për shkak të ndikimit të kulturës materiale, rrjeteve sociale dhe mungesës së modelit të mësimdhënësit të respektuar.

Ajo vë në dukje se shumë të rinj zgjedhin drejtimet e studimit nën ndikimin e shoqërisë, prindërve apo thjesht për të mos u ndarë nga shokët – jo për shkak të dëshirës së vërtetë për atë profesion.

Në intervistën për Ora24.tv, ajo nënvizoi se mungesa e sigurisë në punësim, pagat e ulëta dhe mungesa e respektit ndaj profesionit të mësuesit, e bëjnë këtë drejtim gjithnjë e më pak të dëshirueshëm.

Lexojeni intervistën e plotë dhe kuptoni pse nevojitet të rikthejmë vlerën e letërsisë dhe gjuhës shqipe në shoqërinë tonë.

Ora24.tv: Sipas jush, pse ka kaq pak nxënës që zgjedhin studimet në letërsi?

Prof. dr. Ajten Hajdari-Qamili: Secila periudhë ka profesionet e saj “të preferuara”. Aktualisht, të rinjtë priren drejt shkencave kompjuterike, juridikut, psikologjisë dhe mjekësisë. Këto janë drejtime që për momentin perceptohen si më fitimprurëse dhe më “trendy”. Mirëpo, kjo nuk përkon gjithmonë me kërkesat reale të tregut. Kemi shembuj të profesioneve ku ka shumë më tepër të diplomuar sesa vende pune, dhe anasjelltas, kemi mungesë serioze në fusha si matematika, kimia, fizika apo zanatet profesionale. Letërsia, fatkeqësisht, nuk perceptohet më si një drejtim që “garanton” të ardhme.

Ora24.tv: A ndikojnë perceptimet e shoqërisë ose familjes në këtë zgjedhje? Nëse po, si?

Prof. Hajdari-Qamili:Po, shumë. Shpeshherë, zgjedhja e një fakulteti nuk bazohet në pasionin e të rinjve, por në presionin që u vjen nga shoqëria dhe familja. Ka raste kur nxënësit ndjekin drejtimet që zgjedhin shokët, thjesht për të mos u ndarë nga grupi. Ose zgjedhin drejtime që perceptohen si “më të lehta” për të marrë një diplomë. Ndërkohë, prindërit shpesh e mbivlerësojnë kapacitetin e fëmijëve të tyre dhe i shtyjnë drejt profesionistësh që nuk u përshtaten as nga ana e aftësive, as nga ana e interesit. Kjo shpesh rezulton në dështim apo braktisje të studimeve.

Ora24.tv: Mendoni se mënyra e mësimdhënies në shkollë nxit apo pengon interesin për letërsinë?
Prof. Hajdari-Qamili:Mënyra e mësimdhënies ka një ndikim të madh. Planprogramet janë shpesh të vjetëruara dhe jo atraktive për gjeneratat e reja. Për më tepër, shumë mësimdhënës nuk e transmetojnë pasionin për letërsinë. Nga ana tjetër, kemi një gjeneratë që është bërë gjithnjë e më shumë materialiste. Të rinjtë sot tërhiqen nga jeta luksoze, pamja e jashtme, rrjetet sociale, udhëtimet, fama e shpejtë. Në këtë realitet, figura e mësuesit – një profesion jo i paguar mirë, pa shumë autoritet – nuk është më joshëse. Ata që vlerësohen sot janë influencerët, tiktokerët, biznesmenët dhe jo shkrimtarët apo mësimdhënësit.

Ora24.tv: Cilat janë sfidat më të mëdha që përballen të rinjtë në këtë drejtim?
Prof. Hajdari-Qamili: Të rinjtë e shohin realitetin e vështirë të arsimit që nga shkollat e mesme. Ata kuptojnë se, edhe nëse diplomojnë në letërsi, nuk kanë garanci për punësim pa lidhje politike. Pagat janë të ulëta. Autoriteti i mësuesit ka rënë. Prindërit ndërhyjnë shpesh, nxënësit nuk kanë respekt të mjaftueshëm për mësuesit, dhe politika ndikon në çdo aspekt të punësimit. Kjo krijon një panoramë demotivuese. Si rezultat, shumë të rinj hezitojnë të ndjekin këtë rrugë.

Ora24.tv: Çfarë sugjerimesh do të kishit për të motivuar më shumë nxënësit të ndjekin studimet për letërsi?
Prof. Hajdari-Qamili:E para, duhet të ndryshojë perceptimi që kjo degë është vetëm për ata që duan të bëhen mësues. Gjuhë dhe letërsi shqiptare nuk do të thotë vetëm shkollë. Ky drejtim përgatit edhe gazetarë, moderatorë, redaktorë gjuhësorë, lektorë, administratorë në institucione publike dhe private, procesverbalistë, zëdhënës, e shumë të tjera.
Gjithashtu, për ata që duan të vijojnë studime pasuniversitare, ky është një bazament shumë i fortë intelektual. Ne ofrojmë lëndë që trajtojnë gjuhën dhe komunikimin në mënyrë të thellë – fonetikë, morfologji, sintaksë, stilistikë, histori të gjuhës dhe civilizim kombëtar.
Duhet të punohet që këto vlera të promovohen më shumë në publik, nëpër shkolla, media dhe rrjete sociale, në mënyrë që të rinjtë të kuptojnë potencialin real që ofron ky drejtim.

Intervista me Prof. dr. Ajten Hajdari-Qamili hedh dritë mbi një realitet që shpesh anashkalohet: rënia e interesit për studimet në letërsi nuk është thjesht çështje preference, por pasojë e një sistemi arsimor të dobët, ndikimeve shoqërore e familjare dhe mungesës së vizionit për të ardhmen e profesionit të mësimdhënësit.

Përmes një analize të qartë dhe të paanëshme, profesorja ngre shqetësime të rëndësishme për mënyrën si formësohen zgjedhjet e të rinjve, për mungesën e motivimit dhe për rolin që duhet të luajë sistemi arsimor dhe shoqëria në rivlerësimin e fushave humanistike.

Ajo na kujton se letërsia nuk është vetëm një profesion, por një themel i mendimit kritik, gjuhës së pastër dhe identitetit kulturor kombëtar. Rindërtimi i respektit për këtë fushë fillon me ndryshimin e qasjes ndaj arsimit, promovimin e vlerave dhe njohjen e mundësive që kjo degë ofron për të rinjtë./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit