28.8 C
Skopje
Friday, September 12, 2025

Bujar Osmani në orën 5 të mëngjesit në terren në Topanë, evidenton pesë prioritete për zgjidhjen e problemeve urgjente të banorëve

 

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, edhe këtë mëngjes vazhdoi praktikën e tij që të dalë në terren në orët më të hershme. Në një video të publikuar në profilin e tij në Facebook, Osmani bëri të ditur se në orën 5 të mëngjesit ka qenë në lagjen Topanë, ku ka kaluar nëpër rrugët dhe ka evidentuar problemet që duhet të zgjidhen me prioritet.

“Në Topanë pashë kushte të padenja për qytetarët e Çairit. Kjo është një lagje në zemër të Shkupit që shtrihet para Ambasadës Amerikane, ndërkohë që njerëzit ende jetojnë pa kanalizim, me rrugë të ngushta dhe me infrastrukturë të lënë pas dore. Kjo gjendje duhet të ndryshojë menjëherë”, theksoi Osmani.

Ai shtoi se gjatë vizitës ka evidentuar pesë prioritete mbi të cilat do të përqendrohet me seriozitetin më të madh. “Rrugë të ngushta pa kanalizim, kaos urban, infrastrukturë e shkatërruar, kushte të pasigurta për fëmijët dhe mungesë të shërbimeve bazike – ky është realiteti me të cilin përballen banorët e Topanës. Zgjidhja e këtyre problemeve do të jetë prioriteti im numër një”, deklaroi ai.

Osmani nënvizoi se Çairi duhet të ngrihet në një nivel të denjë për qytetarët e tij dhe pikërisht kjo gjendje është arsyeja pse çdo ditë, që para lindjes së diellit, del në terren për të parë nga afër situatën reale dhe për të ofruar zgjidhje konkrete.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit