Pishina e braktisur sportive në Çair do të shndërrohet në kompleks të ri sportiv sipas standardeve evropiane, një investim që do të bëjë krenar jo vetëm Çairin, por edhe gjithë Shkupin.
Kompleksi do të përmbajë sallë të madhe sportive për hendboll, volejboll dhe basketboll me kapacitet prej mbi 3.000 spektatorësh, si dhe hapësira të veçanta për fitnes, pingpong, sporte luftarake, karate e boks. Në pjesën e jashtme do të ndërtohen fusha për futboll të vogël dhe dy fusha basketbolli të hapura për të gjithë qytetarët.
Ky projekt do të realizohet përmes partneritetit publiko-privat, me garanci të plotë se pas përfundimit të periudhës së shfrytëzimit nga investuesi, qendra do të kalojë në pronësi të plotë të Komunës së Çairit dhe qytetarëve. Vendimi i Qeverisë i ka dhënë tashmë Çairit të drejtën për ta menaxhuar këtë hapësirë, dhe për të zbatuar të gjitha procedurat e nevojshme.
Me këtë investim, fëmijët dhe të rinjtë e Çairit do të kenë kushte të barabarta me ato të qendrave sportive më moderne në Evropë. Ky është një hap i madh përpara në mbështetje të sportit, jetës së shëndetshme dhe rekreacionit.
Është koha që Çairi të ketë imazhin që e meriton. Çair evropian. Çair i mundësive!