Dega e BDI-së në Tearcë, e cila ka dalë fituese absolute në të gjitha ciklet zgjedhore (përveç atij të parafundit) që nga themelimi i partisë, duket se ndjehet e tradhtuar nga kryesia qendrore. Shkak është vendimi i drejtuesve për t’ia lëshuar kandidatin për kryetar komunë Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit.
Pavarësisht pritshmërive se pakënaqësitë do të mbeteshin të heshtura, ato po shpërthejnë hapur në rrjetet sociale. Para disa ditësh, kryetari i degës dhe njëherësh kryetar i komunës, Nuhi Neziri, mbylli profilin e tij në Facebook dhe nuk është parë i angazhuar as në terren për të mbështetur kandidatin e përbashkët të koalicionit, Nazim Taipi.
Situata u tensionua më tej mbrëmë, kur kryetari i nëndegës së fshatit Odër, Berat Xhelili, së bashku me anëtarin e degës Mevlan Ziberi, njoftuan largimin nga BDI.
“Pas shumë viteve angazhimi dhe përpjekjesh të përbashkëta, kam vendosur të jap dorëheqjen nga detyra ime si kryetar i nëndegës së Odrit në BDI, bashkë me anëtarin e degës z. Mevlan Ziberi, për arsye personale”, shkroi Xhelili.
Ndërkohë, aktivistët lokalë të BDI-së nuk po shihen të promovojnë kandidatin e AKI as në rrjetet sociale. Një burim nga brenda degës i tha Tetova1 se aktivistët kanë hedhur dy skenarë në tavolinë: ose të nxjerrin një kandidat të pavarur dhe ta mbështesin atë, ose të mos dalin fare në votime – të cilën e konsiderojnë si “nderin më të madh” që mund t’i bëjnë partisë. Në rast të kundërt, ata paralajmërojnë mbështetje për kandidatin e VLEN-it.
Edhe pse e përqendruar vetëm brenda degës në Tearcë, revolta është e madhe. Mbetet të shihet se si partia e Ahmetit do të arrijë t’i motivojë votuesit për të mbështetur kandidatin e përbashkët